Aktualitet

Arvizu: Kam pasur raporte të mira me Tahirin, Meta president mbi palët ka drejtuar konstruktivisht LSI

Në një intervistë të dhënë për gazetarin Alfred Lela në portalin Politiko.al, ish-ambasadori i SHBA në Shqipëri, Alexander Arvizu ka komentuar aktualitetin politik në vendin tonë, por edhe ka treguar disa momente nga drejtimi i tij i ambasadës amerikane në Tiranë.

Ai është shprehur se me ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, ambasada e drejtuar prej tij ka pasur raport të afërt dhe ka bashkëpunuar ngushtësisht me të, jo vetëm personalisht, por me të gjithë strukturën e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Sa i takon z. Tahiri Ambasada amerikane kishte një raport shumë të afërt dhe bashkëpunues me të kur ai ishte Ministër i Brendshëm. Dhe jo vetëm me të, por edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të asaj ministrie, përfshirë Elona Gjebrenë dhe Genc Gjonçajn. Dhe, sigurisht, të gjithë strukturën e Policisë së Shtetit. Bashkëpunimi ishte i shkallës së pare”. – është shprehur Arvizu.

Përsa i përket presidentit Meta, ish-diplomati ka shprehur vlerësim për figurën e tij dhe madje bindjen se ai qëndron mbi palët politike, ndonëse fajësohet shpeshherë në mënyrë të shpërpjesëtuar për problemet e politikës shqiptare. Arvizu në një fragment të intervistës ka treguar se raportonte në Washington se Rama dhe Basha, dy aktorët më të mëdhenj politikë nuk do të binin kurrë dakord bashkë dhe se LSI (e drejtuar në atë kohë prej Metës) është pjesë e dinamikës politike. Arvizu ka shkuar deri aty sa ka thënë se çdo zgjidhje që nuk përfshin konstruktivisht LSI-në, nuk është serioze.

“Më lejoni të shtoj diçka për z. Meta. Si çdo lider tjetër politik në Shqipëri, ai ka të mirat dhe të metat e tij. Por ka pasur një prirje për ta ‘demonizuar’ z. Meta dhe LSI, dhe për t’i fajësuar ata shpërpjestimisht për problemet e politikës shqiptare. Kjo është gjithashtu e vërtetë edhe për të ashtuquajturin faktor ndërkombëtar, përfshirë edhe Washington-in zyrtar. Ishte frustruese të dëgjoje nga Departamenti i Shtetit gjëra të tilla si: “pse të merremi me Metën dhe LSI? Sigurohuni që Berisha (më vonë Basha) dhe Rama të pajtohen për këtë apo atë gjë”. Dhe unë u thoja: “Nuk e kuptoni, apo jo? Berisha dhe Rama (apo Basha dhe Rama) NUK do të bien dakord, dhe ky është problemi!”. LSI është pjesë e dinamikës. Është realiteti politik i Shqipërisë sot. Çdo zgjidhje që nuk e përfshin konstruktivisht LSI nuk është serioze.”  - ka thënë Alexander Arvizu, tashmë i larguar nga shërbimi diplomatik amerikan. /tiranapost.al