• Shqip
  • English
  • E enjte, 20 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Art & Kulturë Të gjitha

    ArTurbina’ një histori suksesi, 19 mijë spektatorë në 100 ditë


    Në fillim kishte mosbesim se projekti për qendrën e re të artit ‘Turbina’ do të ngelej thjesht në letër apo në kuadër të premtimeve. Më pas kishte pretendime se ajo nuk do të ishte një qendër funksionale apo dinjitoze për artin shqiptar. Por sot 5 muaj nga inagurimi dhe në rreth 100 ditë që ka pasur shfaqje, faktet flasin ndryshe. ‘ArTurbina’ mund të konsiderohet pa frikë një histori suksesi. Janë disa tregues që e dëshmojnë këtë gjë.

    Më domethënësi mbetet natyrisht numri i lartë i spektatorëve; mesatarisht janë 19 mijë vetë nga shtatori deri në dhjetor, që kanë ndjekur shfaqje të ndryshme në skenat e ‘ArTurbinës’.  Numri i shfaqjeve është 90, nga të cilat 58 janë shfaqje teatrore nga Teatri Kombëtar dhe skena e pavarur; 11 janë opera dhe balet, ndërsa 21 janë evente të ndryshme kulturore. Mesatarisht rreth 1 shfaqje në ditë. Nga 37 subjekte në total që kanë dhënë shfaqje në këto muaj, më shumë se gjysma janë nga institucionet kulturore si Teatri Kombëtar dhe Teatri  Kombëtar i Operas dhe Baletit. Pjesa tjetër janë nga skena e pavarur dhe subjektet private. Pra, kemi të bëjmë me një qendër multifunksionale jo vetëm për artistët e institucioneve publike, por që shfrytëzohet privatisht edhe nga subjekte të tjera. ‘ArTurbina’ u ngrit pas rikonstruksionit të ish Laboratorit të Hidroteknikës, një investim rreth 3.3 milionë euro i qeverisë shqiptare.

    Synimi ishte shndërrimi i kësaj ndërtese të braktisur në një pol kultuor, në një Qendër Arti bashkëkohore e me standarde europiane. ‘ArTurbina’ është konceptuar gjithashtu edhe si një qendër multifunksionale që do të stimulojë kreativitetin, do të krijojë një hapsirë e re qytetare, si dhe do të përmirësojë marrëdhëniet me spektatorin duke zgjeruar gamën e aktiviteteve dhe ambienteve të reja artistike. Faktet dhe shifrat që prej shtatorit e deri më tani janë vërtet impresionuese dhe duket se ‘ArTurbina’ po e përmbush misionin e saj.

    Nga ana tjetër ky pol i ri kulturor në qytet, dëshmon gjithashtu se kur ekziston vullneti për t’i çuar gjërat para, edhe ajo që mund të dukej e paimagjinueshme bëhet realitet. Ka edhe një fakt tjetër interesant për ‘ArTurbina’. Shumë prej artistëve që në fillim hezituan për ta mirëpritur si skenë të re teatrale, sot performojnë aty dhe e vlerësojnë këtë projekt. ‘ArTurbina’ ka dy salla; një me audiencë 400 vende dhe një tjetër me 150 vende. Po kështu ka nje holl/ Foyer me sipërfaqe rreth 300 m2; një holl/ Foyer me sipërfaqe rreth 60 m2; hapësirat për ekspozim të arteve vizuale; hapësirat për administratën dhe ambiente të tjera ndihmëse.