Aktualitet

Arsimi profesional kthehet në trend, tashmë të rinjtë duan një zanat

Numri i të regjistruarve në arsimin e mesëm profesional është rritur ndjeshëm dhe përbën 19.8% të totalit të të regjistruarve në arsimin e mesëm.

Ka qenë një prioritet i qeverisë por edhe falë sloganit të shumëpërfolur “Punë ka por duhen profesionistë” regjistrimet e të rinjve në arsimin profesional janë rritur ndjeshëm.

Sipas të dhënave që jep televizioni ekonomik Scan, në vitin shkollor 2016-2017, numri i të regjistruarve në arsimin e mesëm profesional është rritur ndjeshëm dhe përbën 19.8% të totalit të të regjistruarve në arsimin e mesëm. Nëse llogarisim vetëm arsimin publik, kjo shifër rritet më tej në 20,9%.

Qarku që ka pasur përqindjen më të lartë të të regjistruarve ka qenë Durrësi, ku pothuajse 1/3 e nxënësve kanë zgjedhur arsimin profesional. Ky numër tejkalon shifrën 25% edhe në qarqet Shkodër e Vlorë, ndërsa edhe në kryeqytet afërsisht ¼ e nxënësve të arsimit të mesëm kanë zgjedhur shkollat profesionale kundrejt gjimnazeve të përgjithshme. Gjithashtu rritje të numrit të të regjistruarve në arsimin profesional shënohet edhe në Tiranë.

Por krahasuar me vitin shkollor 2012-2013 interesi ka rënë në Lezhë, Kukës, Korçë, Dibër dhe Berat./Tiranapost.al