Aktualitet

Arrestimi i 4-t i Ramush Haradinaj

Arrestimi i 4-t i Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është arrestuar në Francë. Sipas mediave në Prishtinë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është kapur nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.

Haradinaj po mbahet në një nga komisariatet e policisë. Në 17 qershor të 2015 Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Lubjanës, po në bazë të një urdhër-arresti serb. Ai është ndaluar, ndërsa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Pafajësia e fituar

Në vjeshtën e vitit 2012, ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte. Gjykata ndërkombëtarë në Hagë shpalli atëbotë të pafajshëm edhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.

Ai qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, por u nxor sërish në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzoheshin për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t'u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Procesi kundër Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj, u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat, për siç thuhej, trajtim mizor dhe torturë.

Haradinaj u rikthye në rigjykim në korrik të vitit 2010. Vendimi për rigjykim të pjesshëm ishte i pari i këtij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.