Aktualitet

Armiku i të gjithëve, Saimiri

Nga Mira Kazhani/ Largimi i Saimir Tahirit ishte përfolur gjatë, sidomos javën e fundit. Koka e tij është kërkuar jo rrallë herë dhe ai ka qenë ministri më i sulmuar nga opozita por edhe nga brenda maxhorancës.

Saimiri Tahiri është akuzuar si shkaktar i mbjelljes së kanabisit, edhe pse në të njëjtën kohë është ministri që shpartalloi Lazaratin.

Saimir Tahiri u akuzua se përgjoi e vendosi “çimka” tek kundërshtarët. Shkak për një paranojë të tillë ka qenë raporti i vështirë me kreun e LSI, i cili sipas burimeve kofidenciale ndërroi shtëpi për shkak se dyshonte së në zonën e ish Bllokut kishte pajise që i vendoste Saimiri.

Sot dy kundërshtaret e pashpallur por që i njohin të gjithë jetojnë ne zonën e Kodrës së Diellit. Ilir Meta brenda “Kodrës”, Saimir Tahiri jashtë “Kodrës”, por brenda një rrezeje.

Siç do thoshte Joleza qytet i vogël Tirana shumë. Por në të njëjtë kohë nuk u faktua në asnjë rast asnjë përgjim dhe Komisioni për “IMSI Catcher”e famshëm nuk qulli gjë.

Saimir Tahiri ka bërë jo pak armiq për shkak të punës dhe profilit të tij. Është ministri që ka rrezikuar më shumë së çdokush familjen e tij, e cila sot është marrë në mbrojtje nga policia.

Tahiri ishte një nga ministrat më të suksesshëm të Edi Ramës. Njëri nga delfinët e tij siç ju pëlqen ta trajtojnë shumë media e gazetarë. Pa dyshim që ikja e Saimir Tahirit nuk ja bën jetën më të lehtë Edi Ramës, madje as Ilir Metes, as opozitës sepse sikur një nga akuzat dhe paranojat e tyre të qëndrojë, Saimiri di shumë tani, dhe drejtimin e fushatës së Tiranës do ta bëjë me i forte sesa kurrë.

Nuk është e thënë të jesh Ministër i Brendshëm për të fituar zgjedhjet. Igli Toskën, ish-Ministrin e Brendshëm 2005, do e kujtojmë gjithmonë si një Ministër të Brendshëm që ja vodhën zgjedhjet.

Saimiri ishte armiku i të gjithëve, mesa duket edhe i vetes po ky është çelësi i politikanëve që i përkasin të ardhmes. Sot kemi lider opozite një ish-ministër të Brendshëm që ka qenë në detyre, kur në 21 janar u vranë nga kryeministria 4 njerëz.

Kemi ish-ministra që do bëjnë Republikën e Re me hirin e Gërdecit. Opozita nuk gjen ngushëllim tek dera që mbylli sot Saimir Tahiri. Durim...