Aktualitet

Ardian Vehbiu ka një pyetje për artistët e Bashës

Ardian Vehbiu ka një pyetje për artistët e Bashës

PYETJE

E kam lexuar dy-tre herë marrëveshjen e lidhur mes Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partisë Demokratike – marrëveshje që kryetari i PD-së, Basha, e quan ndonjëherë edhe “kontratë” dhe që e kam parë të quajtur edhe “deklaratë”.

E kam të qartë se çfarë zotohet të bëjë PD-ja për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe për kulturën në përgjithësi, kur të vijë në pushtet. Nuk gjeta gjëkundi se çfarë merr përsipër të bëjë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në kuadrin e kësaj marrëveshjeje.

Meqenëse bëhet fjalë për një marrëveshje dypalëshe dhe meqenëse këtë marrëveshje e kanë nënshkruar edhe Basha me cilësinë e kryetarit të PD-së edhe një numër drejtuesish të AMT-së, atëherë më duket e arsyeshme që dokumenti të sanksionojë formalisht zotimet e TË DYJA PALËVE. Prandaj edhe quhet marrëveshje. Ata që e kanë nënshkruar, nga Aleanca, kanë formalizuar angazhimin e tyre, jo të PD-së.

Por në tekst pashë vetëm që AMT-ja “zotohet të vazhdojë përpjekjet e saj për të ruajtur ndërtesën e Teatrit nga shembja”, një zotim që nuk ka nevojë për pëlqimin dhe angazhimin kontraktual të PD-së, për t’u mbajtur (Aleanca ka shumë kohë që po e mbron Teatrin, pavarësisht nga interesimi ose jo i PD-së dhe i çdo partie tjetër politike). Mos AMT-ja hyn formalisht në marrëveshje thjesht për ta pranuar mbështetjen që i ofron tani PD-ja? Apo mos AMT-ja zotohet se do ta ndihmojë PD-në që të zbatojë premtimet që bën në marrëveshje? Hamendja e dytë më tingëllon absurde.

Pyetja ime: çfarë pikërisht ka marrë përsipër AMT-ja në këtë marrëveshje, kundrejt palës tjetër, PD-së? Vallë të mos jetë përcjellë e plotë marrëveshja nga mediat?

Mbase dikush di më tepër se unë dhe gjen pak kohë për të më sqaruar.

Falemnderit. /Tiranapost.al/