SPORT

Anglia siguron kualifikimin në fazën finale

Anglia siguron kualifikimin në fazën finale

Anglia ka përmbysur gjithçka në 15 minutat e fundit në Wembley duke mposhtur Kroacinë 2-1, një rezultat që i jep kryesimin e grupit 4 të League A dhe që i mundëson kualifikimin në fazën finale të Nations League. Ishte një ndeshje fantastike në Londër, sidomos në pjesën e dytë, dhe në fund ishin anglezët ata triumfuan me meritë.

Anglia e nisi mirë ndeshjen dhe Sterling kishte mundësinë e parë për të shënuar, por goditja e tij pritet nga portieri Kalinic. Pak sekonda më pas ishte Harry Kane që iu afrua golit, por goditja e tij ishte e pasaktë. Pjesa e parë flet vetëm për vendasit, me kroatët që mundohen të mbrojnë duke qëndrua shumë mbrapa dhe të shfrytëzojnë kundërsulmet. Duhej pritur minuta e 38’ që ballkanasit të krijonin një mundësi të mirë kur Perisic del vetëm për vetëm me portierin Pickford, por goditja e tij përfundon mbi traun e portës.

Dy minuta më pas, Barkley ishte i pafat teksa edhe goditja e tij përfundon jashtë kuadratit. Pas pushimit ndeshja bëhet më e barabartë, dhe në një nga aksionet e paktë në zonën kundërshtare, Kroacia arrin të zhbllokojë rezultatin në minutën e 57’ me golin fantastik të Kramaric. Anglia mundohet të reagojë menjëherë, por e ka shumë të vështirë të depërtojë në zonën kroate dhe e vetmja mënyrë që vendasit tregohen të rrezikshëm janë goditjet standarde.

Dhe në minutën e 78’ anglezët shfrytëzojnë më së miri një goditje këndore duke shënuar golin e barazimit me Jesse Lingard. Ndeshja mbetet e hapur pasi skuadrave u duhet fitorja për të avancuar në finalet e kompeticionit. Kroacia ka një mundësi shumë të mirë me Vida, por goditja e tij me kokë ndalet në vijën fatale nga Lingard. Në minutën e 86’ ishte Harry Kane ai që shtyu topin në rrjetë pas krosit të bukur nga e majta nga Chilwell duke përmbysur rezultatin. Kroacia mundohet të bëjë diçka në minutat e fundit të takimit, por vendasit e ruajtën me zotësi avantazhin duke marrë një rezultat të madh. /Xh.K