SPORT

Anglia shkruan historinë në ndeshjen me Panamanë

Kjo është hera e parë në historinë e Anglisë që shënon më tepër se katër gola në një ndeshje të Kupës së Botës. Të besuarit e Gareth Southgate kanë shpartalluar modestët e Panamasë me rezultatin e thellë 6-1 falë një triplete të Harry Kane.

Anglia për momentin ndodhet me pikë, dhe golavarazh, të barabartë me Belgjikën. Ishin anglezët që nuk harxhuan kohë duke e nisur lojën shumë mirë. goli i parë vjen nga John Stones pas një goditje këndi. Kane dyfishon rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë përpara se Lingard të shënonte golin e ndeshjes nga distanca.

Kishte kohë edhe për dy gola të tjerë përpara se të përfundonte pjesa e parë, dhe ata janë shënuar nga autorët e dy golave të parë, Stones dhe Kane, i cili përsëri godet nga penalltia.

Pas pushimit Harry Kane kompleton tripletën me një gol me fat pasi topi devijohet te thembra e tij dhe futet në rrjetë. Baloy i Panamasë, kapiteni i ekipit, ka shënuar golin e nderit në minutën e 78’ teksa britanikët e kishin ulur disi ritmin. Ky ishte goli i parë i Panamasë në një Kupë Bote. /XH.K