• Shqip
  • English
  • E martë, 17 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Bon Voyage Lifestyle Të gjitha TIP top

    Ana në botën e kroçerave


    Esencë editori/ Vendosa të aplikoj për të punuar në një kroçere dhe nuk e dija aventurën që më priste, e vetmja gjë e sigurt ishte pasiguria që më shoqëronte te bota e re drejt së cilës po nisesha

    “Është çudi e madhe kjo puna e pasionit të njerëzve, ata që pushtohen prej tyre, s’janë në gjendje t’i shpjegojnë, dhe ata që s’i kanë përjetuar, s’janë dot në gjendje t’i kuptojnë.

    Ka njerëz që vënë jetën në rrezik për t’u ngjitur majë një mali. Askush, madje as ata vetë, s’dinë ta shpjegojnë arsyen. Dhe ka të tjerë që shkatërrojnë veten për të pushtuar zemrën e një personi të caktuar, i cili as që e çan kokën për ta. Përsëri të tjerë marrin rrokullimën, sepse s’u rezistojnë dot kënaqësive të qiellzës apo atyre të shishes. Disa të tjerë japin shtëpi e katandi për të fituar një lojë kumari, ose flijojnë gjithçka për një ide fikse që s’mund kurrë të bëhet realitet. Ka edhe nga ata që mund të jenë te lumtur vetëm atëherë, po të ndodhen diku tjetër dhe jo aty ku janë, e prandaj i bien botës kryq e tërthor tërë jetën e jetës. Të tjerë bien rehat vetëm pasi bëhen të pushtetshëm. Me një fjalë ka aq shumë pasione të ndryshme sa ç’ka edhe njerëz të ndryshëm.”

    (Fragment ‘’Historia pa Mbarim, Mihail Ende)

    Pasioni im janë udhëtimet. Kryqëzori i botëve është njëfarë strehe për mua. Vendosa të aplikoj për të punuar në një kroçere dhe nuk e dija aventurën që më priste, e vetmja gjë e sigurt ishte pasiguria që më shoqëronte te bota e re drejt së cilës po nisesha.

    Më ishte thënë se itinerari i anijes ishte Mesdheu dhe në tre muajt e parë lundronin përgjatë detit Mesdhe duke ndaluar në shume qytete të Italisë si Xhenova, Livorno, Napoli, Kaljari, Olbia, Mesina, Venecia, Trieste, Çivitavekja, Pisa, Firence, Pompei, Romë, Kapri, si edhe në Francë, Marsejë, në ishujt Baleare të Spanjës (Ibiza, Palma de Majorka, Mahon) në Valeta, Maltë, në qytetet e Spanjës si Barcelonë, Malaga, Valencia, në Kotor të Malit të Zi dhe në Madeira, Funchal (Portugali) nga ky destinacion i fundit prejt Mesdheut nisëm kapërcimin e Atlantikut për të arritur drejt Karaibeve ku itinerari përfshinte Bridgetown në Barbados, Ishujt e Virgjër Britanik, Pointe-a-Pitre në Guadaloupe, Castries në Santa Lucia dhe më pas Havana në Kubë, Ishujt Kajman, Ishullin Cozumel të Meksikës, Ishullin Roatan në Honduras, Costa Maya në Meksikë, qytetin e Belizës në Amerikën Qëndrore dhe Xhamajkën.

    Të punosh dhe të jetosh në anije është ndryshe nga të jetuarit dhe të punuarit në tokë. Për detarët e kroçerave ditët nuk ishin e hënë apo e martë, por ditët ktheheshin në destinacione dhe shpesh dëgjoje tek thoshin: -Çfarë dite është sot?  –Sot është Ibiza!

    Ibiza, Spanjë

    Jeta ecën vrullshëm me një shpejtësi hera-herës rraskapitëse dhe që të bën të humbasësh kontaktin me veten.

    Pozicionet e punës në një anije janë të shumta, aty gjen bare, restorante, teatro, skena kërcimi dhe këndimi, qendra bukurie, masazhi, palestër me instruktorë, dyqane, recepsion, zyrë ekskursionesh, zyra pastrimi dhe mirëmbajtje, zyra sigurimi dhe truproja gjithashtu pra ka profesione si kamerier, kuzhinier, pastrues, mirëmbajtës, balerinë, aktorë, këngëtarë, muzikantë, shitës, recepsionistë, guida turistike dhe shumë të tjerë.

    Secili profesion është pjesë e një departamenti dhe secili departament ka në krye një menaxher.

    Unë punoja në departamentin e Shitjeve por duke qenë se zotëroja disa gjuhë të huaja më propozuan të isha pjesë dhe e guidave turistike gjë të cilën e kisha si punë të dytë. Puna si shitëse përfshinte komunikimin me të ftuarit, mirëmbajten e dyqanit dhe të mallit, kryerjen e inventarit, sisteminin e mallit gjatë kargos (furnizimit), ndërsa puna me ekskursionet përfshinte shoqërimin e të ftuarve në ekskursionet në Tokë, përkthim në rastet kur guida nuk fliste gjuhë të tjera përveç asaj vendase, plotësimin e formularëve të përshtypjeve në përfundim të ekskursionit.

    Të udhëtoje në aq shumë vende për aq pak muaj ishte shtysa që më jepte energji të vazhdoja rrugëtimin. Shpesh i mendoja ato vende dhe rrallë besoja se do të shkelja Tokën e tyre ndonjë ditë.

    Firence, Itali
    Genova, Itali

    Nga Italia shumë mbresa më la qyteti i Napolit, mikpritja e vendasve, kafenetë e vogla nëpër rrugicat e qytetit, pica tipike vetëm me salcë domatesh, vaj ulliri dhe mozzarela. Në Napoli munda të vizitoja rrënojat e Pompei-t ku nga shpjegimet e guidës mësova se Pompei kishte qenë një qytezë ku gëlonin shtëpitë publike dhe shumë njerëz fetarë mendonin se Zoti kish sjellë si dënim shpërthimin e vullkanit të Vezuvit sepse Pompei ish kthyer në një vatër imoralitetit, tjetër gjë që nuk e i kisha hasur më parë ishin medalionet me simbol formën e organit gjenital mashkullor që konsideroheshin si fatsjellëse.

    Olbia në Sardenja, një qytet i vogël ku ende jam e bindur se aty bëjnë akulloret më të mira në botë. Në Xhenova më la mbresa Akuariumi një nga më të mëdhenjtë në Evropë si edhe anija që është përdorur në filimin ‘’Piratët e Karaibëve’’ e cila gjendet e ankoruar pranë Portit afër Muzeut të Kinemasë.

    Trieste ishte nga qytetet ku ndihesh si në Itali por jo vetëm, në kufin me Austrinë dhe Slloveninë aty vije re ndikimin e kulturave të tjera dhe atmosfera kishte tjetër ngjyrim.

    Ibiza, Spanjë

    Spanja është nga shtetet më magjike ku gjithmonë ke diçka të re për të parë, diçka më shumë për të mësuar në kulturë, ushqim, natyrë, muzikë. Ibiza dhe deti rreth saj, faret e bukura në brigje, qyteti i Vjetër i Shën Lucia-s, Cafe del Mar e njohur mbarëbotërisht për vendin ku shfaqen perëndimet më të bukura të diellit. Në Palma de Majroka pata rastin të zbuloja një librari të vjetër (English Bookshop) brenda së cilës kaloja disa orë të mira çdo herë që ishim në Palma, aty shijova për herë të parë dhe Tapas (ushqim tipik spanjoll që serviret në porcione të vogla). Mahoni është për mua një ishull përrallash, me pak ndërtime, një ishull shtigjet e të cilit të thërrasin drejt detit dhe ku qielli i flet lirisë.

    Barcelonë, Spanjë
    Barcelonë, Spanjë. Imazhi i njerëzve të famshëm në miniaturë dhe pozicioni i tyre ndryshe: duke kryer nevojën personale, për të përcjellë mesazhin që krahas gjithë ndryshimeve mes njerëzve në fund të fundit diçka na bën të njëjtë

    Barcelona qyteti i pafund rrugët e të cilit shtrihen tej për tej, qyteti që ishte burim frymëzimi për autorin spanjoll Servates.

    Marsejë, Francë

    Marseja e Francës një qytet i bregut të blu-jtë siç e quajnë francezët ku rritet livandoja në fusha që shtrihen tej për tej e cila njihet si lulja e jugut. Aty gjendet dhe ishulli që përmendet në romanin ‘’Konti i Montekristos’’. Nga vizitat më të bukura do cilësoja atë te Katedralja ‘’Notre Dame De La Garde’’ ku arrin vërtetë të ndjesh energjinë e historisë që lëviz. Për këdo që viziton Marsejën do të këshilloja të bënte kujdes nëse do të fliste me të panjohurit e them këtë sepse aty kanë gjetur strehë shumë shtetas nga vendet e lindjes që janë në luftë dhe shpesh flasin me vajzat e reja, sidomos turiste. Prej tyre mora madje dhe propozime për martesë!

    Funchal, Madeira

    Funchali në Madeira është si një botë më vete, shkëputur prej gjithë Evropës. Burimi kyesor i ekonomisë është bujqësia ku merr vendin e parë kultivimi i bananeve. Në futboll e njohin si qytetin e Christian Ronaldos. Natyra e Fuchalit për sa i përket bregdetit është e njëjtë me Portugalinë, mbushur me shkëmbinj vullkanikë në ngjyrë të zezë që ruajnë gjithmonë grinë e detit. Aty rashë në dashuri me çokollatën e ngrohtë si dhe me bukën tipike e cila quhet Bola do Caco.

    Kapërcimi i Oqanit Atlanik ishte një eksperiencë shumë e bukur që të bënte të mendoje për Kristofor Kolombin shekuj më parë në kërkim të Tokës së Re. Të shihje për shtatë ditë me radhë vetëm det të jepte idenë se lundroje gjithmonë në të njëtin vend dhe në të njëtën kohë.

    Karaibet ishin për botën time një dimension tjetër ku koha ikte me puhizën e detit dhe ngrohtësinë që karakterizonte këto vende. Njerëzit jetonin të lidhur pranë natyrës, sa të bekuar aq edhe të nënshtruar prej saj ( në Karaibe ndodhin shpesh tërmete, uraganë, cuname dhe kjo bën që të mos ketë shumë ndërtime një nga arsyet kjo pse ka më tepër ndërtesa të ulëta dhe brigjet janë kryesisht të pastra nga resortet).

    Karaibet janë vende që presin shumë turitstë por ndërmarrjet e turizimit i kanë sipërmarrësit e huaj dhe shumë pak para shkojnë për vendin dhe vendasit. Në Honduar varfëria vihej re sapo dilje nga porti ku shihje fëmijë që vinin dhe ofroheshin të ishin guida jote dhe në marrëveshje të heshtur t’i ofroje para në fund të shoqërimit, një nga fëmijët gjatë një bisede më tha: “Krimi i vetëm në Roatan është të bësh fëmijë dhe të pish alkool”. Sepse për të fëmija nuk do të kishte një jetë të lumtur dhe ai vetë ishte shembull për këtë.

    Havana, Kuba. Bari i preferuar i shkrimtarit Ernest Heminguej
    Havana, Kuba
    Havana e Vjetër, Kuba. “Dashuria mbrojtja më e mirë”
    Havana, Kuba
    Kështjella e Morros, Havana. Në qendër të fotos fari i Morros
    Ibiza, Spanjë Fari Botafoch. Këtu mësova që faret mund të merren me qira dhe të qëndrosh në to si shtëpi pushimi, gjithashtu që mund dhe të interesohesh për punë si Ruajtës Fari (Lighthouse Keeper).

    Havana, qyteti im i zemrës dhe vendi më ndryshe nga çdo vend në botë. Aty koha ka ndalur por ama ka muzikë në çdo rrugicë, ka jetë që buçet dhe njerëz që duket sikur edhe trishtimin e kanë të lumtur, shumë thonë së është qyteti i muzikës dhe seksit dhe është por është njëkohësisht dhe më shumë se aq. Për mua është qyteti ku njerëzit jetojnë mbi shpresën nën një politikë diktatoriale që i kufizon deri tek edhe nevojat më bazike por sërish ata ngrihen, hapin kafenetë, luajnë muzikë, kultivojnë duhanin, këndojnë dhe kërcejnë ashtu siç vetëm kubanezët dinë ta bëjnë.

    Nga Karaibet vendi që më ka dhënë përjetimin më të madh ka qënë Belize. Aty vizitova sitet Maja dhe është një nga gjërat më të bukura që kam bërë deri më tani. Të shkelje në Tokën e një qytetërimi tjetër, të ecje shtigjet që i kanë krijuar ata, të hyje brenda piramidave dhe të shihje veprën e ngelur dhe sa madhështore shtriheshin ato diku mes pyjeve ishte për mua një ndjenjë e pazëvendësueshme. Aty kam provuar për herë të parë çokollatën e ngrohtë natyrale të cilën e mblodhëm nga pemët e xhunglës dhe e përgatitëm në mënyrë tradicionale si edhe coohon-nut (arra me shije kokosi dhe arre vaji i të cilave shërbente për shërimin e plagëve të trupit por edhe përdorej në gatim për njerëzit që vuanin nga Alzhaimeri). Në Belite pashë edhe krokodil!

    Hell City, Ishujt Kajman

    Nga ishujt Kajman do të veçoja plazhin e Shtatë Miljeve (Seven Milles Beach), një pjesë e detit në të cilën të ecje larg prej bregut dhe uji të qëndronte gjithmonë deri tek gjunjët. Nga historitë do të veçoja një nga periudha e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri ku vendasit në mungesë të dëborës mblidhin rërë nga plazhi dhe e zbraznin në oborrin e tyre me qëllim që të dukej sikur kishte rënë dëborë.

    Në Xhamajkë do të veçoja vizitën në shtëpinë muze të Bob Marley-t dhe në Fermën Muze të Annie Palmer ( e cilësuar si shtrigë) gjithashtu ishte e veçantë të provoja kafenë tipike Xhamajkane (Jamaica Blue Mountain Coffe).

    Në Costa Maya eksperienca më e bukur ishte të rezervoja tek sportet e ajrit një hedhje me Sky Diving dhe në Cozumel të merrja pjesë në festimet e Ditës së të Vdekurve.

    Ka pafund aventura dhe histori që do të mund të tregoja por dua ta përmbledh duke thënë se këtë eksperiencë ia sugjeroj çdokujt që do të mundte ta përballonte fizikisht jetën në det, orët e gjata të punës, bashkëveprimin me kultura të ndryshme, që do të çonte gjer në fund përgjegjësinë dhe angazhimin e tij dhe kujtdo që dëshiron të udhëtojë dhe ta shohë botën në të gjithë pafundësinë e saj.

    Këtë eksperiencë krahas punës të lodhshme kam vendosur ta mbyll me fjalët: Ha-Lutu-Dashuro njësoj si titulli i romanit të Elisabeth Gilbert.

    Për më shumë foto shfletoni galerinë

    *Ky shkrim është pjesë e rubrikës Bon Voyage nga Tiranapost në bashkëpunimin me Global Travel

    Si të fitosh një udhëtim dhuratë për në Romë nga TiranaPost & Global Travel

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690