Aktualitet

Amos Oz, luftëtari që u bë shkrimtar

Pavarësisht se luftoi në konfliktin e vitit 1967, nuk shkroi kurrë për luftën. Pavarësisht se e ftuan të ishte pjesë e politikës, kurrë nuk pranoi. Ai mbeti shkrimtar, deri në fund.
Amos Oz, luftëtari që u bë shkrimtar

La Repubblica/ Në hebraisht, Oz do të thotë Forcë. Ndoshta kuptimi i madhështisë së jetës së Amos Oz, që u nda nga jeta sot në moshën 79 vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë, qëndron pikërisht në atë mbiemër që mori kur, në moshën 15-vjeçare, vendosi të braktiste Jeruzalemin dhe familjen e tij Klausner me prejardhje europiane – Poloni, Lituani, Rusi – që ishin intelektualë të djathtë të arratisur nga Europa në kohën e antisemitizmit. “Forcë” sepse binte në kontrast me ankthin e babait të tij (bibliotekar dhe studiues që dinte 16 gjuhë) dhe të mamasë Fania (7 gjuhë, njohëse e mirë e letërsisë klasike) që vrau veten në moshën 52-vjeçare kur ai ishte 13 vjeç, duke i lënë një shenjë për gjithë jetën, siç ka treguar në kryeveprën e tij “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”.

“Forcë” sepse pavarësisht errësirës që e rrethonte, që fëmijë donte gjithçka, ishte i zjarrtë kur luante luftash me britanikët dhe arabët në hartat e mëdha në kuzhinë, kur si ujk gllabëronte librat, kur dërdëlliste për gjëra më të mëdha se ai, e madje edhe për budallallëqe, duke lënë gurë nëpër rrugë kundër pushtuesit anglez e duke ndërtuar raketa që do të shkatërronin Buckingham Palace.

“Forcë” sepse luftoi në luftën e vitit 1967 dhe më pas në atë të vitit ’73. “Forcë” sepse ndjente se duhej të ndërtonte Izraelin, i vetmi atdhe i mundshëm pasi Europa volli dhe shfarosi hebrenjtë. “Çfarëdo që të ndodhë, më mirë këtu se në diasporë, ku fati nuk varet prej nesh por nga të tjerët”, thoshte. “Forcë” sepse kur vendosi se donte të shkruante, punonte ditën në Holda dhe natën mbyllr në tualet me një letër dhe stilolaps, për të gjëtur vetminë dhe për t’i dhënë më shumë jetë asaj që ndjente se kishte brenda: fuqinë e letërsisë. “Forcë” sepse kur Shimon Peres i ofroi në vitet ’90 të bëhej pjesë e politikës, refuzoi. “Kam një handikap të madh”, tha, “nuk mund t’i them fjalët ‘no comment’”. Ai ishte zëri kritik i Izraelit.

U lind më 1939 në Jeruzalem. Studioi filozofi në universitetin hebre. Në vitin 1961 gazeta “Ha’aretz” dha lajmin se do të ishte ai drejtori i një të përvashmeje kundër establishmentit laburist. Në vitin 1965 botoi librin e parë, “Toka e çakallit”, që u prit me shumë rezerva.

Pas publikimit të librit të parë, Amos Oz u kërkoi zyrtarëve lokalë që t’i jepnin më shumë kohë të lirë për të shkruar. Dhe ata i dhanë një ditë. Kur kërkoi një ditë të dytë, sekretari iu përgjigj: “Ti mund të jesh edhe Tolstoji, por nëse të gjithë këtu ndihen artistë, kur do t’i mjelë lopët?” Në vitin 1968 botoi “Majkëlli im”, një rrëfim i jashtëzakonshëm i marrëdhënies së vështirë mes një burri dhe një gruaje, sfondi i së cilës është në Jeruzalem në vitet e Luftës së Suezit. Të nesërmen e suksesit që pati, duke qenë se të ardhurat nga libri i takonin komunitetit, të quajtur kibbutz, Oz mori 5 ditë pushim.

Prej atëherë Oz u bë pjesë e ikonografisë sioniste. U martua me Nilin, që e njohu në punë dhe patën dy fëmijë. Ishin vitet e “Mali i këshillave të këqija”, “Soumchi”, “Një paqe e arrirë”, “Kutia e zezë”, që kishin hetime pa fund, elegji për zhdukjen e gardës së vjetër izraelite, mbi martesën, familjen, lidhjet e padukshme të dashurisë, meditime mbi vdekjen, mbi marrëdhëniet e thella mes prindërve dhe fëmijëve, mbi gratë që që thoshte se kurrë nuk i kuptonte sa duhej edhe pse i studionte.

Nuk shkroi kurrë një roman mbi luftën, edhe pse kishte marrë pjesë në konfliktin e 1967-ës. “E kam të vështirë të flas apo të shkruaj për një fushë beteje”, tha në një intervistë, “nuk besoj se mund të arrij t’ia përçoj këtë eksperiencë dikujt që nuk e ka përjetuar. Përballja qëndron në një aromë të tmerrshme. Nuk është diçka që mund ta imagjinosh. Një përzierje gome, metali dhe mishi njerëzor që digjet. Është mut. Çdo përshkrim nuk mund ta japë atë erë. Unë nuk mundem.”

Por gjithçka që kishte të bënte me luftën dhe me paqen ishte në zemrën e tij. Mendimi i tij u publikua menjëherë në vitin 1967 me një artikull në gazetën socialiste Davar. Quhej “Toka e baballarëve” dhe kërkonte fillimin e menjëhershëm të negociatave, pasi pushtimi do të korruptonte shpirtërat e izraelitëve. Prej atëherë, sigurisht me dritë-hijet e tij, ka mbështetur gjithmonë idenë e dy shteteve, ide që në atë kohë quhej radikale. Edhe në vitet e fundit ishte ky vizioni që kishte. Nuk duhet një shtet me dy kombe. “Jemi dy shtete që jetojnë në të njëjtin rrip toke, si dy familje që duhet të kenë të njëjtën shtëpi. Prandaj duhen bërë dy apartamente të ndara. Duhet kurajo, duhet që dikush të gjejë forcën për t’u quajtur tradhtar, si Ben Gurion në fund të luftës për pavarësi, si gjenerali De Gaulle që la Algjerinë. Nuk kam frikë se mund të quhem tradhtar, jam në shoqëri të mirë”, thoshte. E në fakt, së bashku me A.B Yehoshua dhe David Grossman ishin izraelitët e mëdhenj që morën famë në opinionin publik ndërkombëtar.

Në vitin 1986 Amos Oz dhe bashkëshortja largohen nga kibbutz. Njëri prej fëmijëve është astmatik dhe ka nevojë për një klimë të thatë. Transferohen në shkretëtirë, në Arad. Çdo mëngjes Oz bënte një shëtitje vetmitare. Më pas shkruante, me stilolaps, mbi një dërrasë, ashtu si Heminguej, për shkak të dhimbjes së mesit. Pasdite çmontonte atë që kishte shkruar dhe e shkruante edhe një herë tjetër. Ishte i avashtë. Çdo fjalë, në këtë gjuhë që i ka rrënjët në Bibël, ka një peshë. Çdo fjalë ka një mijë kuptime. Ai merrte kohën e tij.

Është koha e “Të njohësh një grua” (1989), një roman i bukur mbi një agjent sekret që gjendet përballë vdekjes së gruas. Më pas erdhën “Fima”, “Mos thuaj natë”, “I njëjti det”. Pastaj libri më i bukur, “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, historia e jetës së tij për të cilën vazhdimisht thoshte se po e shkruante. Në atë çast të gjithë prisnin që të merrte çmimin Nobel. Por paragjykimet nga Izraeli në Stokholm janë shumë të mëdha. Megjithatë, çmime mori plot.

Shkroi gjithmonë për komedinë njerëzore në hijet e kufijve. Ajo e tija, ishte një histori e vërtetë dashurie. Por edhe bukurie, poezie dhe bukurie. Ishte Forcë. Dheu i qoftë i lehtë./Tiranapost.al