Showbiz

Amet Gjanaj, gjurma më e dukshme shqiptare në Bruksel

Amet Gjanaj, gjurma më e dukshme shqiptare në Bruksel

Nga Klaudeta Skënderasi/Kundërshtarët e tij politikë mbase nuk do ishin shumë dakord me këtë titull. Po pikërisht kjo është edhe më e bukura: një grup i mirë shqiptarësh janë zhvilluar e integruar aq mirë në Belgjikë, sa jo vetëm kanë depërtuar në politikën belge, por kanë edhe luksin t'u përkasin forcave të ndryshme politike. Megiithatë, na lejoni t'ju shpjegojmë se përse nuk është e tepërt që një prej tyre, Amet Gjanajn, ta quajmë gjurmën më të dukshme shqiptare në qendrën e Europës.

Kur ai lindi, në Bruksel, këtu e 50 vjet më parë, as që e kishte idenë se ç' vështirësi kishin përtypur me dhëmbë prindërit e tij, që ai t'i shpëtonte komunizmit e të lindte krejt i lirë në një vend si Belgjika. As kish parë arratisjen e vështirë të tyre nga Shqipëria e kyçur në diktaturë, të cilës i ikën mes një rreziku të tmerrshëm, duke kaluar në vrimë të gjilpërës, e as sorrollatjet nga një vend në tjetrin, as vështirësitë për t'u përshtatur e jetuar në një vend të huaj pa e quajtur kurrë atdhe. Të gjitha i mësoi pasi hapi sytë, gjatë rrugës për t'u bërë shqiptar më shumë nga sa ishte. Mos harroni se po flasim për të tjera vite, në kohën e mërgatës së parë, kur emigracioni kishte tjetër kuptim, peshë e kontekst. Nëse në këto kohë që jetojmë tani, emigracion do të thotë hidh një gur e ik evropianizohu apo amerikanizohu, në ato vite ndodhte krejt e kundërta. "Ne flinim e zgjoheshim me ëndrrën për t'u kthyer një ditë në Shqipëri. Unë linda këtu, kurrë s'e kisha parë vendin tim, por e doja mbi gjithçka. Mjaft të dëgjoja fjalën Shqipëri e unë lumturohesha", u kthehet Ameti viteve të dikushme.

Kushedi, mbase për shumëkënd në ditët jo dhe aq optimiste që po jetojmë ne shqiptarët, kjo që thotë Ameti, i lindur e rritur në mes të Brukselit, mund të tingëllojë edhe ndopak patetike. Por veç e tillë nuk qe atëherë për shqiptarët e arratisur, edhe pse u pritën si jo më mirë nga belgët që u ndezën edhe zjarrin në oxhak që kur të vinin ta gjenin gati. Për të arratisurit nga komunizmi, kthimi në Shqipëri ishte thjesht çështje kohe dhe prisnin dita ditës që të ndodhte. Ja që ka qenë një kohë kur shqiptarët nuk i donin dokumentet belge, ato për të cilat sot përgjërohen. Ameti e ka jetuar vetë atë periudhë. "Urimi që i bënim çdo mot njëri-tjetrit ishte: viti tjetër na gjettë në Shqipëri! Jetonim me idenë që një ditë do ktheheshim, madje edhe ne që kishim lindur larg Shqipërisë. Familjet shqiptare nuk hidhnin rrënjë të forta në Bruksel, rrinin gati që nga dita në ditë t'ia mbathnin andej nga kishin ardhur. Çfarë ideali kishim krijuar për atë vend. E kishim fe. E adhuronim pa e parë fare!”.

Kush e kishte menduar se zhgënjimi i viteve '90 do kishte shije aq të hidhur. Shqipëria më në fund u çlirua nga diktatura dhe vala e parë e shqiptarëve u dynd nëpër Evropë, sigurisht edhe në Belgjikë. Pikërisht këtu e ka fillesën edhe ai imazhi aspak i mirë i shqiptarëve që dogji të thatët me të njomët e i penalizon edhe sot e kësaj dite emigrantët e ardhur nga vendi i vogël ballkanik. "Të emigruarit e '90-ës nuk ngjanin me të mërguarit e parë që ikën nga komunizmi e donin të ktheheshin aty sapo ai të kish rënë. Shqiptarët pas rënies së diktaturës ishin me të drejtë të lodhur por edhe të paduruar. Shumë prej tyre donin të fitonin dhe të fitonin shpejt, shumë gjëra i kishin kuptuar gabim, ndaj edhe disa gjetën rrugë të shkurtra, që në shumicën e rasteve përfunduan keq dhe u bënë shkak që të dëmtohej rëndë edhe imazh i shqiptarëve të tjerë, që kishin zgjedhur rrugën e gjatë të përshtatjes me jetën e re". Ajo që njohën për realitetin e prekshëm dhe jo më të imagjinuar, la shije të hidhur tek mërgata e parë, edhe pse vendin e tyre prapë s'e deshën më pak, po në ç'Shqipëri të ktheheshin?!

Jeta në Belgjikë vazhdoi për të gjithë, të ardhur herët e të ardhur rishtaz, sigurisht edhe për Ametin, që me të mbaruar studimet për shkenca ekonomike hapi një zyrë aq të sukseshme konsulence për biznesin e vogël e të madh, sa zhurma i shkoi në vesh kryetarit të komunës të Molenbekut, që i propozoi të angazhohej në Partinë Socialiste. "Nuk ishte nga ato propozimet që të japin entuziazëm. Unë ndihesha sigurisht i vlerësuar, por nuk isha i vendosur nëse do ta bëja një hap të tillë. Këshillat e mençura të xhaxhait tim më bindën ta hidhja atë hap, që me kalimin e kohës doli se kishte qenë një nga gjërat më të mira që kisha bërë në jetë. Për veten po e po, por edhe për komunitetin shqiptar në Bruksel".

[caption id="attachment_417369" align="aligncenter" width="662"] Gjatë fushatës për zgjedhjet komunale për Komunën e Molenbeek, 2018[/caption]

Angazhimi në politikë u përkthye me një karrierë të bujshme politike, gjë që ndodhte për të parën herë në komunitetin shqiptar. Ameti ka fituar 3 herë zgjedhjet komunale, 2 herë zgjedhjet rajonale duke u zgjedhur deputet në rajonin e Brukselit dhe është i pari nënkryetar shqiptar i një komune belge, në atë të Molenbekut.

[caption id="attachment_417372" align="aligncenter" width="960"] Gjatë seancës së fundit në Parlamentin e Brukselit[/caption]

Ndërkohë që këtë pranverë posterat e tij mund t'i shihje në çdo cep sepse hapi i radhës ishte kandidimi për Parlamentin Evropian në pjesën frankofone. 25 mijë votat që fitoi janë vërtet shumë, por jo aq sa t'i siguronin një vend në parlament. E megjithatë, asnjë lloj dekurajimi nuk dallon tek Ameti.

[caption id="attachment_417371" align="aligncenter" width="678"] Posteri i fushatës së zgjedhjeve për Parlamentin Evropian[/caption]

"Kam 5 vjet kohë për t'u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë sapo kam marrë sërish mandatin e ri në Komunën e Molenbekut". Kjo është rruga e tij dhe as që ka ndër mend të tërhiqet. Sepse është në kulmin e karrierës së tij politike, por është mbi të gjitha përfaqësuesi më i dukshëm i komunitetit të shqiptarëve që jetojnë në Belgjikë.

[caption id="attachment_417373" align="aligncenter" width="960"] Gjatë festimeve shqiptare të 28 nëntorit[/caption]

Shumë prej tyre mbase e kanë dëgjuar veç si emër, shumë të tjerë e kanë takuar, akoma më shumë kanë qenë me të në protesta për çështje të ndryshme në ndihmë të vendit tonë, apo në festa të zhurmshme që veç shqiptarët dinë t'i bëjnë e që Ameti i ka ndihmuar që t'u dëgjohet lodra e t'u shndrijë flamuri në mes të Grand Place, në krye të Atomiumit apo në vendin më të fotografuar të Brukselit, Manneken Pis, i cili një 28 Nëntor befas u vesh me kostum shqiptar. Të tjerë akoma e njohin ai pjesë e Shoqërisë Vatra, që ai ka themeluar e që po merr përmasa vërtet të mëdha institucionale. E ca e dinë që Ameti është i vetmi që ka hapur një shkollë shqipe në Bruksel, sepse ky ishte pengu i madh i fëmijërisë. "Mbyllja e shkollës shqipe kur unë isha fëmijë ka qenë një nga ditët më të trishtuara të jetës sime. Mbeti e tillë deri ditën kur shkollën shqipe e hapa sërish e sot vazhdon të ketë gjithmonë e më shumë shqiptarë që duan të mësojnë gjuhën e tyre".

Mbase shumë nuk e dinë që ai fshihet pas takimesh të rëndësishme nëpër redaksi mediash me peshë në Bruksel, për të kërkuar mbrojtjen e imazhit të shqiptarëve të dëmtuar rëndë mes titujsh bombastikë gazetash, për sherre, vrasje e grabitje, pas të cilave kish përherë një shqiptar, emri i të cilit do shiste gazetën në mëngjes apo do mblidhte klikimet në darkë. "Ishte si një lloj mode për një periudhë kohe që shqiptarët t'i gjeje në kronika të zeza lajmesh, kurse komunitetet e tjera nuk përmendeshin, edhe pse mund të ishin shumë më problematike. Kërcënimi se ne si shqiptarë do mblidheshim të gjithë para redaksive për të protestuar për dëmtim të imazhit i ka dhënë efektet. Por edhe gjërat kanë ndryshuar dhe pas shumë vitesh peshorja po anon nga shqiptarët e sukseshëm që janë vërtet shumë. Mjaft të përmendim zgjedhjet e kaluara ku vitin që shkoi vetëm nga partia socialiste kandiduan 12 shqiptarë". Mes tyre sigurisht edhe Ameti, që sot për sot është një nga më të njohurit këtyre anëve, është gjurma më e dukshme shqiptare në Bruksel./Tiranapost.al