• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 26 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet My Tirana Të gjitha

    Ambasadori i Austrisë i bashkohet nismës: Jo vetëm shpirtin e Vjenës, por edhe ca oksigjen për tironsit, siç i thoni ju


    Nismës për mbjelljen e Pemëve kësaj here iu bashkua edhe ambasadori austriak në Tiranë, Johann Sattler, si dhe përfaqësues të ambasadës e të Bashkisë së Vienës, të cilët i dhuruan kryeqytetit 40 pemë të mëdha panje, frashëri, likuidamber dhe bli, të cilat u mbollën në Parkun e Liqenit Artificial.

    Ambasadori i Austrisë Johann Sattler vlerësoi transformimin që po ndodh në Tiranë, ndërsa nënvizoi punën që po bëhet kryesisht me gjelbërimin. “Jo vetëm shpirtin e Vjenës, por edhe ca oksigjen për tironsit, siç i thoni ju. Mendoj se mund të jemi krenarë me atë çfarë po ndodh në Tiranë vitet e fundit, po gjelbërohet dita ditës, dhe mendoj se kjo është gjë mjaft e madhe. Në cilësinë e jetës, Vjena është numri një prej shumë vitesh, por Tirana po na arrin shumë shpejt, ndaj mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm që të mos na i kalojë”, tha ambasadori Sattler.

    Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj falenderoi miqtë austriakë për kontributin e tyre, ndërsa theksoi se kjo tregon se përgjegjësia sociale duhet të ekzistojë jo vetëm te ata që janë banorë të përhershëm të një qyteti, por edhe ata që janë rezident për një kohë të caktuar, siç është rasti edhe i përfaqësuesve diplomatik.

    “Jam shumë entuziast që bashkë me mikun tim, ambasadorin Johann Sattler dhe miqtë nga Bashkia e Vjenës, mbjellim 40 pemë të rritura. Është pjesë e një kontributi prej 4500 pemësh që kanë të gjitha shtigjet e reja të Liqenit të Tiranës. Dua fillimisht të them shumë faleminderit, jo vetëm për një bashkëpunim të shkëlqyer që kemi në përditshmërinë tonë. Pavarësisht nëse dikush është vizitor, diplomat ose do të jetojë tërë jetën këtu, secili bën sa mundet në vendin ku ka hedhur rrënjë”, tha Veliaj.

    Më tej, ai theksoi se mbjellja e pemëve jo vetëm që e lidh njeriun më shumë me një qytet të caktuar, duke e bërë atë që të ndihet pjesë e tij, edhe pasi të ketë mbaruar detyrën që i kanë caktuar.

    “Sot rrënjët nuk i kemi vetëm metaforë, i kemi edhe fizike, kështu që jam shumë krenar për këtë bashkëpunim që kemi me qytetin e Vjenës. Në fund të ditës, bashkëpunimi mes qyteteve dhe shteteve është bashkëpunim mes njerëzish dhe kur njerëzit punojnë bashkë, qoftë edhe në gjëra simbolike si mbjellja e pemëve apo në projekte të mëdha infrastrukture, atëherë edhe kombet afrohen më shumë”, u shpreh kryebashkiaku. Shihni fotot më poshtë./ Tiranapost.al. E.B