Art & Kulturë Te gjitha

“Amanet”, filmi i Namik Ajazit nderohet nga Çmimet “Kult”


Me vonesë, por më në fund “Amaneti” i Namik Ajazit u vlerësua si filmi më i mirë shqiptar i viteve të fundit. Akademia e Çmimeve “Kult” e ka vlerësuar filmin me regji të Namik Ajazit me trofeun e më të mirit. Ndërsa vetë Ajazi ndodhet në Romë për xhirimet e një tjetër filmi (“Portreti I pa mbaruar I Clara Bellinit”), në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ishte aktori Alfred Trebicka ai që tërhoqi çmimin.

Alfred Trebicka duke marrë çmimin.

“Amanet” është një film kujtese.

“Amanet”, na kthen pas në kohë, menjëherë pas eliminimit të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu. Ky eliminim do të merrte me vete edhe krerë të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, që dhanë urdhër për “heqjen qafe” të tij. Një reaksion zinxhir, fundi i të cilit ishte i qartë për të gjithë. Për të treguar këtë proces eliminimesh, i cili në fakt kishte nisur që para çlirimit të vendit, Ajazi ndalet te historia e njërit prej tyre. E ka quajtur Mentor Hasa, por në të vërtetë është një shumësi personazhesh, copëra historish që të kujtojnë këtë apo atë drejtues të lartë të shtetit komunist. Gjen te portreti i Mentor Hasës, pak nga historia e Kadri Hasbiut, madje e tij është fotografia në të cilën paraqitet duke u dekoruar nga Enver Hoxha, vetëm pak kohë para arrestimit, por gjen edhe pak nga portreti i Feçorr Shehut, Beqir Ballukut… Tek historitë e familjeve të tyre gjen pak nga të gjitha familjet e ish-pushtetarëve që pas dënimit apo pushkatimit të tyre, u internuan, punuan nëpër miniera, disa edhe nuk u kthyen që andej.

Filmi

Regjia: Namik Ajazi

Skenari: Ruzhdi Pulaha

Producentë: Namik Ajazi

Giuseppe Colombo

Dritan Huqi

Muzika:  Gerti Druga

Drejtor fotografie:  Sebastiano Celeste

Interpretojnë:

Amos Muji Zaharia – Martin Hasa

Muzafer Zifla – Mentori

Eva Alikaj – Lida

Alfred Trebicka – Sokoli

Violeta Trebicka – Terezina

Adele Gjoka  –  Eva

Shyqyri Caushaj – Frani

Sadush Ylli – Nazifi