Lajme nga Bota

Alvini i lirë, kryeministri italian: Pata kontakte të vazhdueshme me Edi Ramën, vogëlushi tani do jetojë fëmijërinë

Alvini i lirë, kryeministri italian: Pata kontakte të vazhdueshme me

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka reaguar për Alvin Berishën i cili prtiet që ditën e nesërme të bashkohet me babanë dhe dy motrat që e presin në shtëpinë në Itali, pasi mes një misioni të vështirë ku u përfshinë autoritet shqiptare dhe italiane, arritën që ta nxirrnin nga kampi ferr i Al Hol në Siri dhe të pajisej me të gjitha dokumentet për kthimin e tij në shtëpi.

Media italiane Agenzia Nova citon kryeministrin italian ku falenderon autoritetet italiane dhe shqiptare, si dhe organizatat humanitare që kanë bashkëpunuar për operacionin.

Conte shprehet se rastin e Alvinit e ndoqi personalisht, i informuar vazhdimisht dhe në kontakt me kryeministrin Edi Rama.

Lexoni deklaratën e kryeministrit Conte:

"Kthimi i Alvinit në shtëpi është një nga ato histori që ju mbush zemrën me lumturi. Fëmija shqiptar, për vite me radhë në një kamp refugjatësh në Siri, në orët e ardhshme më në fund mund të përqafohet nga babai i tij i cili po e pret në Itali.

Kjo është arsyeja pse unë shpreh falënderimet e mia të përzemërta për të gjithë autoritetet italiane dhe shqiptare, për organizatat humanitare, që kanë bashkëpunuar për këtë operacion kompleks, në një zonë aq të vështirë sa ai sirian. Faleminderit edhe për ato media që kthyen në qendër të vëmendjes historinë e Alvinit të vogël.

Qeveria italiane ka bërë gjithçka që është e mundur për lirimin e tij. Unë personalisht ndoqa këtë ngjarje, i informuar vazhdimisht dhe në kontakt me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Një sukses i jashtëzakonshëm jo vetëm i diplomacisë por mbi të gjitha i bashkëpunimit ndërkombëtar, falë rolit të çmuar të luajtur nga Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe dhe ndërhyrja vendimtare e policisë speciale dhe departamenteve të karabinierëve.

Më e keqja për Alvin tani është pas tij, në pak orë ai do të jetë i lirë. I lirë të jetë në gjendje të jetojë fëmijërinë e tij, të jetë në gjendje të luajë përsëri, të imagjinojë dhe të ndërtojë të ardhmen e tij. Pa kufizime dhe larg bombave, luftërave, fanatizmit".

Kujtojmë se kryeministri Rama në vizitën e tij pak ditë më parë në Itali ku u takua me kryeministrin Conte, i kërkoi bashkëpunim për të shpëtuar Alvinin nga Kampi, ku jetoi prej pesë vitesh, pasi nëna e tij e mori me vete në Siri, ku u dashurua me një xhihadist e më pas humbi jetën në një shpërthim. Linku origjinal këtu./ Tiranapost.al. E.B

http://www.tiranapost.al/fotot-e-reja-te-alvinit-qe-postuan-mediat-libaneze-i-qeshur-dhe-i-rrethuar-nga-shume-agjente-sigurie/