Sport Te gjitha

Alonso: Ky mund të jetë sezoni i fundit në Formula 1


Dy herë kampioni i botës në Formula 1, Fernando Alonso, ka deklaruar sot se mund të largohet nga ky sport në fund të këtij sezoni. Rezultatet zhgënjyese që makina McLaren arriti në tri sezonet e fundit duket se kanë detyruar pilotin spanjoll të tërhiqet nga sporti dhe të fokusohet më shumë në pasionin e tij të ri, garat e IndyCar. “Kanë qenë sezone të vështira, që më kanë zhgënjyer në çdo drejtim. Ndaj ndihem sikur ka ardhur koha për t’u larguar nga ky sport, kur shoh se rezultatet mungojnë”, deklaroi sot Fernando Alonso, tashmë 36 vjeç.

Piloti spanjoll shpreson që këtë sezon situata të jetë ndryshe për makinën McLaren, që pasi ka divorcuar nga motori Honda ka vendosur që sezonin që do të nisë më 15 mars të përdorë motorin Renault. “Unë e ndjej se ky mund të jetë një sezon pozitiv nëse do të kemi një motor të mirë dhe një paketë aerodinamike të suksesshme. Jam i sigurt se do të dimë të ndërtojmë për garën e parë një makinë të shpejtë dhe të mos bëjmë ato paraqitje qesharake të viteve të fundit, ku për çdo garë merrnim penalizime të mëdha pa nisur gara”, tha Alonso për mediat. /XH.K