Aktualitet

ALFRED PEZA/ Nëse një qytetar do të sillej si ajo, me Rovena Gashin!

Nga sot, Rovena Gashi krahu i djathtë i ish Kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, nuk është më pjesë e sistemit të drejtësisë shqiptare. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ose shkalla e parë e procesit të “vettingut” e ka shkarkuar atë nga detyra e Prokurores pasi iu zbuluan pasuri të fshehura, deklarime të rreme dhe mungesë burimesh financiare.

Vetë ish Drejtoresha e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës, nuk preferoi të ishte prezente në momentin e dhënies së vendimit. Ajo bojkotoi edhe seancën e parë të premten e kaluar, duke refuzuar që të përfitonte edhe nga e drejta ligjore, për tu mbrojtur me avokat.

Në këtë mënyrë, Rovena Gashi do të mbahet mend veç të tjerash, si e vetmja (deri më sot) nga 800 gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit të drejtësisë që po i nënshtrohen këtij procesi, që ka injoruar organet e drejtësisë së re. Megjithëse, ajo nuk ka qenë aspak indiferente ndaj tyre. Përkundrazi!

RAPORTI I MEDIAVE:

“Rovena Gashi ka kërkuar në qershor që të mos i nënshtrohej vettingut sepse ishte e pezulluar nga detyra e prokurores. Por KPK ia rrëzoi kërkesën.

Më 26 qershor 2018, trupa gjykuese pasi kishte kryer veprimet për pasurinë e saj, e njoftoi Gashin për mbylljen e hetimeve dhe e ftoi atë që të paraqiste shpjegimet. Pasi u njoh me dosjen, ajo paraqiti 12 kërkesa të ndryshme.

Më 29 qershor, ajo kërkoi përjashtrimin e trupit gjykues, por kjo kërkesë u rrezua nga një trupë tjetër.

Më 3 korrik, ajo paraqiti një kërkesë për të rimarrë 34 dokumente që ishin skanuar me koke poshtë duke pretenduar se “nuk i lexonte dot”. Trupa ia plotësoi kërkesën. Më pas ajo kërkoi shpjegime për trupën gjykuese se përse nuk u ndryshua.

Më 4 korrik, kërkoi vënien në dispozicion të materialeve hetimore rreth figurës dhe aftësive të saj profesionale. KPK e njoftoi se hetimin e mbylli bazuar vetëm te pasuria dhe i dërgoi asaj mbrapsht, raportin e Prokurorisë dhe DSIK.

Me 5 korrik, Rovena Gashi kërkoi që të vlerësohej edhe për këto dy kritere.

Më 6 korrik, ajo kërkoi prapë përjashtim trupe gjykuese. Kërkesa e saj përsëri u rrëzua.

Më 7 korrik, ajo kërkoi të merren në pyetje disa dëshmitarë për pasurinë e saj.

Më 12 korrik, ajo kërkoi të ndërpritej vettingu pasi kishte bërë ankesë në Strasburg.

Me 14 korrik, ka kërkuar prapë përjashtim trupe.

Me 18 korrik, ajo paraqiti edhe dy kërkesa të reja, ku të njëra kërkohej ribërje e hetimit, gjë që iu refuzua. Ndërsa me kërkesën tjetër, kërkoi përsëri përjashtim të trupës gjykuese.

Më 20 korrik, nisi procesi i gjykimit ndaj saj nga ana e KPK, ajo nuk u paraqit dhe nuk dërgoi as avokat. Në fund të letrës prej 27 faqesh drejtuar trupës së gjykimit, Rovena Gashi kërkoi megjithatë,… rikonfirmim në detyrë.

Më 25 korrik, KPK vendosi shkarkimin e saj nga detyra.

Të gjitha përgjigjet për kërkesat e bëra, të cilat Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ia ka dërguar Rovena Gashit me postë në adresën e dhënë prej asaj vetë, janë kthyer mbrapsht pasi askush nuk i ka tërhequr ato…”

* *

Kur sheh këtë sjellje nga një juriste që ka mbajtur për rreth 5 vjet me radhë pozicionin e Nr. 2 në hierarkinë e Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës, ndaj një organi legjitim dhe kushtetues si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vetëm e vetëm se ajo vetë i ishte nënshtruar si gjithë të tjerët, një procesi hetimi administrativ, pyetja që shtrohet pas kësaj është:

Çfarë do ti bënte Rovena Gashi, dikur Drejtoreshë e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe e Dekriminalizimit, një qytetari të thjeshtë nëse ai do të sillej ndaj një procesi hetimor të Prokurorisë, si ajo vetë?

Çfarë do ti bënte Rovena Gashi një qytetari, nëse ai do të bënte si ajo vetë, 15 kërkesa proceduriale brenda një muaji, nga të cilat 4 kërkesa për përpjashtimin e saj si prokurore e çështjes?

Çfarë do ti bënte Rovena Gashi një qytetari, nëse ai përveç asaj vetë, do të kërkonte përshembull, (larg qoftë!) edhe përjashtimin e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla nga e drejta e ushtrimit të përgjegjësive të tij mbi të?

Çfarë do ti bënte Rovena Gashi një qytetari, nëse ai do të refuzonte si ajo vetë që të shkonte në seancat e procesit pranë njërës prej gjykatave shqiptare, duke mos u përfaqësuar as edhe me avokatin e tij mbrojtës?

Çfarë do ti bënte Rovena Gashi një qytetari, nëse ai do të bënte një apelim në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e ti këkonte përjashtimin e saj apo pezullimin e çështjes në Shqipëri?

Çfarë do ti bënte Rovena Gashi një qytetari, nëse ai si edhe ajo vetë, do ti dërgonte gjatë procesit ndaj tij një letër gjykatës kundër saj dhe në fund pavarësisht njëmijë e një të zezave që do të thonte për të, do të kërkonte si përfundim që të shpallej edhe i pafajshëm?

Këto e shumë pyetja të tjera si to, të vijnë ndërmend kur sheh një nëpunës shteti, sjellja e së cilës meriton si askush tjetër për diçiturë, thënien e priftit të fshatit: Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë!

Ky shembull i sjelljes së Roven Gashit, mund të shërbejë edhe si një pasqyrë për të parë sjelljen e drejtësisë së vjetër ndaj qytetarëve. Ndërsa sjelljen e KPK dhe ONM ndaj saj, si shembull modest i sjelljes se drejtësisë se re, me qytetaren e zakonshme tashme, Rovena Gashi.