• Shqip
  • English
  • E premte, 15 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Personazh Showbiz Të gjitha TIP top

    Alex Alexander, suedezi i Këngës Magjike: Rruga për Amerikë kalon nga Shqipëria


    Alex Alexander këndoi të dielën e kaluar në Këngën Magjike dhe u pranua pa mëdyshje nga juria. Tiranapost realizoi një intervistë të shkurtër me të, me artistin që është i sigurt se Kënga Magjike do ta çojë direkt në Amerikë, aty ku e presin ëndrrat.

    Alex Alexander, foto nga Google

    – Si ishte përvoja juaj e parë përpara audiencës shqiptare?

    Me të vërtetë më pëlqeu shumë atmosfera dhe eksperienca e vizitës së parë në Tiranë! Të gjithë ishin shumë mikpritës dhe audienca shqiptare duket se e vlerëson vërtet muzikën live! U ndjeva vërtet mirë kur performova dhe ishte diçka fantastike.

    -Si arrite deri në këtë festival? Njeh ndonjë artist shqiptar?

    Në fillim kam dëgjuar për “Kënga Magjike” nga këngëtarja e talentuar Anxhela Peristeri që fitoi çmimin e parë në vitin 2017. Anxhela më lidhi me Ardit Gjebrean, folëm dhe ai më ftoi në festival.

    -E krijove këngën enkas për festivalin apo e kishe gati dhe pastaj kontaktove me Arditin?

    Unë dhe bashkëproducenti e tekstshkruesi i këngës Johan Randen e krijuam në të njëjtën javë që kontaktova dhe me Arditin. Ndërkohë që e realizuam nuk e dinim që do ta prezantonim në këtë festival dhe për çudi kënga është perfekte për “Kënga Magjike”.

    Alex Alexander, foto nga Kënga Magjike

     

    -I ke dëgjuar këngët e tjera? Kush janë rivalët e tu në këtë konkurs?

    Kam dëgjuar disa nga artistët dhe ka shumë të talentuar, si këngëtarë ashtu edhe instrumentistë. Po të preferuarit e mi, deri tani janë miqtë e mi italianë ‘Sisma’.

    -Mund të na thuash diçka për veten? Që nga grupi i parë dhe deri tek karriera jashtë vendit

    Kam filluar të merrem me muzikë që kur isha shumë i vogël. Isha 13 vjeç kur luajta në kitarë dhe 19 kur bëra turneun e parë me grupin tim në Azi dhe Lindjen e Mesme për 2 vjet. Pastaj i fokusova energjitë e mia në karrierën solo si “Alex Alexander” , publikova shumë materiale në deri në 2017-ën në Spotify. Arrita mbi 25 milionë “spotify streams” deri në 2018-ën, kurse tani si artist i pavarur kam arritur në 60 milionë, statistika që më bëjnë një nga artistët më të klikuar në Suedi.

    Kam qenë gjithashtu shumë aktiv si tekstshkrues në Los Angeles që nga 2016-ta dhe kam krijuar për shumë artistë.

    Alex Alexander

    -Meqë momentalisht je duke punuar me një studio muzikore amerikane, a mund të themi se rruga për në Amerikë kalon nga Shqipëria?

    Po punoj me një Rockstar të vërtetë në Los Angeles të quajtur Adam Gaynor që është ish-anëtar i grupit të famshëm Matchbox Twenty e që ka shitur mbi 16 milionë kopje albumesh. Adam ka qenë mentori im në shkrimet e këngëve dhe qëllimi im është të shpërngulem në Los Angeles dhe të vazhdoj karrierën në Amerikë. Kështu që mund ta thuash pa frikë se rruga për në Amerikë kalon nga Shqipëria. Vëmendja dhe mbështetja që kam marrë nga “Kënga Magjike” ka arritur në sytë e shumë njerëzve që njoh në Los Angeles dhe në gjithë botën. Është fantastike, ju shqiptarët jeni kaq të talentuar në muzikë, mjafton të shikojmë Dua Lipën, Bebe Rexhën dhe tani edhe Ava Max, ato kanë të gjitha prindër shqiptarë. Ja ku e keni të vërtetuar 100% që rruga për në Amerikë kalon nga Shqipëria./Tiranapost.al

    Pas Italisë, Suedia… Përfundimisht, skena e Këngës Magjike u përket të gjithëve

     

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post