Aktualitet

Helmim nga votat e ardhura nga Serbia, BE reagon për incidentin e zyrtarëve të KQZ-së

Helmim nga votat e ardhura nga Serbia, BE reagon për incidentin e

Gjendja shëndetësore e numëruesve të votave, të helmuar një ditë më parë, është e stabilizuar.

Në një konferencë për shtyp drejtoresha e Klinikës së Infektives në Prishtinë, Lindita Ajazaj-Berisha, tha: "Në klinikë janë të hospitalizuar 11 pacientë, gjendja është e qëndrueshme. Disa prej tyre kanë pasur vjellje, skuqje të lëkurës. Për momentin nuk mundemi të japim diagnozën e saktë".

Ndërkohë që lidhur me këtë incident reaguan edhe përfaqësues të BE-së, në një përgjigje për Express:

“Bashkimi Evropian është duke monitoruar nga afër çështjen e helmimit të zyrtarëve të KQZ-së në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pasi ata kishin hapur zarfet që kishin ardhur nga shteti serb”.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç ka thënë se kanë parë raportimet për fletë votimet e ardhura nga Serbia: “Ne jemi në pritje të rezultatit të hetimeve në vazhdim. Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve në BE po monitoron nga afër situatën”.

Zyrtarët e KQZ-së në Kosovë teksa filluan të numëronin votat e ardhura nga Serbia, filluan të ndjenin një aromë të fortë dhe pësuan alergji në duar dhe fytyrë. Situata bëri që të ndërpritej procesi i numërimit të votave dhe të prekurit të shkonin në spital për trajtim mjekësor./Tiranapost.al