Aktualitet

Aleati i Bashës: Ta votojmë Vettingun. Çadra shumë shpejt do të mbyllet

Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së dhe njëherësh pjesë e koalicionit opozitar, ka një mendim ndryshe nga Lulzim Basha sa i përket ligjit të Vettingut.

Sipas Shehit, opozita duhet të futet në Kuvend dhe të votojë Vettingun, në mënyrë, që edhe kjo “armë” t’i hiqet Ramës nga dora.

“Unë si Dashamir Shehi them se duhet ta votojmë vettingun. Në mënyrë që t’ia heqim nga dora kryeministrit këtë armë, sepse ngeli vettingu, vettingu. Edhe për një rrugë që është me gropa e ka fajin vettingu.” tha Shehi nga ‘’Këndi i Ekselencës’’ në News24.

Shehi tha gjithashtu se çadra, si një projeksion parazgjedhor shumë shpejt do të mbyllet. Ndërsa sa i përket zgjedhjeve në Kavajë, ai mohoi zërat për skenarë të mundshëm dhune.

“Çadra është një projeksion parazgjedhor dhe shumë shpejt do të mbyllet. Në Kavajë s’do ndodhë asgjë nga këto skenarët që thuhen. Unë uroj që dhe pala tjetër ta dëgjojë mesazhin. Në qoftë se këtu agravohen situatat gjithçka mund të ndodhë, edhe pse uroj që jo’’, deklaroi Shehi. /Copyright Tiranapost.al/