• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 18 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Aleatët e PD-së dhe PDS, konsultime me Presidentin për datën e zgjedhjeve


    Aleatët e Partisë Demokratike dhe kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo patën takime të ndara pasditen e sotme, me Presidentin Ilir Meta.

    Pas takimit të Metës me aleatët e PD-së, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi tha se data e re e zgjedhjeve do të vijë si pasojë e një marrëveshje të madhe politike.

    “Funksioni opozitar është përtej caktimit të datës zgjedhore. Ne gjykojmë që aksioni opozitar nuk mund të reduktohet vetëm në këtë situatën e ditës së zgjedhjeve. Ne gjykojmë që data e zgjedhjeve duhet të jetë derivat i një analize tjetër. Çfarë do të bëjmë deri në ditën e zgjedhjeve për ti bërë zgjedhjet e pranueshme nga pikëpamja e pretendimeve tona? Ne gjykojmë që dita e zgjedhjeve do të derivojë nga mundësia e një marrëveshje të madhe politike në të cilën të merren në konsideratë pretendimet opozitare për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha ai.

    Shehi e konsideroi takimin shumë pozitiv, por tha se marrëveshja i takon partive të mëdha. “Ne nuk kemi tagër të mbyllim marrëveshje. Kjo i takon në radhë të parë Bashës dhe palës tjetër. Kështu që sot gjykojmë që është bërë një hap i vogël, por në drejtimin e duhur”, tha Shehi.

    Sipas Shehit, Presidenti do të vazhdojë konsultimet edhe me partitë e tjera politike.

    Ndërkaq, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo pas takimit me Presidentin Ilir Meta tha se zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Në një deklaratë për mediet, Milo u shpreh se zgjedhjet e njëanshme komprometojnë hapjen e negociatave.

    “Ndamë së bashku shqetësimin se Shqipëria duhet të ketë zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe zgjedhje të cilat duhet të kontribuojnë në kushtet që BE i ka vendosur Shqipërisë për të hapur negociatat për anëtarësim. Në rast të kundërt çdo tentativë për të bërë zgjedhje të njëanshme do të komprometonte hapjen e negociatave me BE, gjë që nuk do të ishte mirë për Shqipërinë dhe të ardhmen europiane. Nuk ka rëndësi kur bëhen zgjedhjet, rëndësi ka që ato të bëhen sipas standardeve, të plotësojnë kriteret demokratike dhe të jenë të lira”, tha Milo. /Referuar Ata/ Tiranapost.al/

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690