25 rreshtat e Mirës Te gjitha

Albina, ku je ti?!


Mira Kazhani/ Astrit Veliaj nuk ka asnjë faj që është biznesmen, që është një emër në listën e PD-së në Berat. Është në të drejtën e një burri, si edhe të një gruaje, të aspirojë politikën dhe madje të luajë edhe intrigën si formulë natyrale të saj.

Por tërheqja e dy grave nga listat, me një tekst njësoj, me një metodë të vjetër, na bëri, fatkeqësisht, krenarë në Tiranapost.al, që nuhatjen e kishim mu në zemër të luanit që ditën e parë, kur, madje, për pak, dentisja nga Berati e pranoi mandatin. “News 24”, një televizion jo pa afrimitet me Lulzim Bashën, e tha me siguri, që orën e parë, se Eduart Halimi do zëvendësohej nga Astrit Veliaj, pa u kompleksuar se radha iu takonte, sipas kodit, dy grave në listë. Pata kolegë që më shkruan në inbox se e kisha tepruar me këtë punën e paranojës, se po luhej një pazar, se  dentistja e pranoi. Jepi kohë kohës, thonë italianët.

Sot u vunë pikat mbi i. Ndërkaq, dje, deputetja Vokshi përmendi shifrat alarmante të dhunës ndaj grave, si një shenjë proteste dhe angazhimi në PD. Shifrat nuk ishin të reja, se para dy javësh i dëgjuam edhe nga zonja Bregu, në një aktivitet për barazinë gjinore. Tani, Basha nuk ka as merakun e grave të Albanës dhe as të Majlindës, siç edhe dihet. PD-ja është bërë parti pazaresh, paktesh dhe milionash. Të gjitha lajmet nga PD -ja, po t’i shohësh me kujdes, janë ose për biznesmenin e Bashës, ose për ndonjë gjyq ku fiton miliona euro, ose për ndonjë pakt me Ramën. PD-ja nuk ka lidhje me gratë dhe i trajton si Buqet e Albinës.

PD-ja e Lulit, se ajo e Berishës, megjithë plumbat, skandalet, Gërdecët e 21 janarët, ka pasur një sqimë për gratë. Ishte i pari Berisha që kompleksoi PS-në me fytyra të bukura zëdhënësesh, me profile të forta grash në politikë, për hir të së vërtetës. Ndërsa tani çëshja nuk është më pse nuk u futën dy gratë e Beratit. Qe, fundja, pazari i radhës. Halli është se në PD krijohet një shije e shpifur për gruan si profil, si institucion, si fjalor, fjalë. Po më duken ditët kur Albina dhe shoqet e saj thirrën para kryeministrisë s’jemi “Buçe”, më revolucionare, më të ndjera dhe më të mira se errësira e sotme. Zoti Veliaj ta gëzojë mandatin dhe me sa më pak shpenzime! Copyright/ 25 rreshtat e Mirës është një rubrikë e përditshme e tiranapost.al