Lexo Enver Robellin

Albin Kurti para bashkatdhetarëve në Zvicër: Kosova nuk e mbijeton edhe një qeveri të kriminalizuar, na ndihmoni ta çlirojmë vendin

Një debat mes Albin Kurtit dhe politikanit socialdemokrat zviceran Cédric Wermuth u shndërrua në një tubim me emocione shpërthyese të mbi 500 shqiptarëve në përkrahje të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ndërrimit të madh të pushtetit në Kosovë. Në fund të këtij aktiviteti dëshira e vetme e qindra pjesëmarrësve ishte «një selfie» me Kurtin, të cilin ndokush nga përkrahësit e zjarrtë mund ta ketë ngatërruar me yllin e popmuzikës, Rita Orën.
Albin Kurti para bashkatdhetarëve në Zvicër: Kosova nuk e

Aarau është kryeqyteti i kantonit Aargau. Ky kanton në Zvicrën qendrore ka një histori të bujshme. Është vendi nga ku e ka prejardhjen dinastia e Habsburgëve, e cila nga Vjena sundoi Europën Qendrore me shekuj. Nga marsi deri në shtator të vitit 1798, në vitin e parë të Republikës Helvetike, Aarau ishte kryeqyteti i parë i Zvicrës. Në Aarau e ka kryer maturën Albert Einsteini – me notat më të mira, përveç në frëngjisht (3).

Rivaliteti i kantonit të Aargaut me Zürichun është legjendar. Targat e veturës «AG» (për Aargau) disa në Zürich i lexojnë kështu: «Achtung Gefahr» (Kujdes rrezik). Nga banorët e Zürichut nuk shihet me sy të keq vetëm stili aventurier i ngasjes së veturave nga banorët e kantonit Aargau. Edhe dialekti perceptohet si i çuditshëm, pastaj stili i veshjes (me sandale dhe çorapë të bardha), popullimi i klubeve, restoranteve dhe diskotekave të Zürichut në fundjavë nga ardhacakët nga Aargau. Banorët e Aargaut janë si të thuash «shacat» e Zvicrës.

Në kryeqytetin e kantonit Aargau erdhi të shtunën kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në Kosovë zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 6 tetor. Në Zvicër zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 20 tetor. Albin Kurti dëshiron të bëhet kryeministër. Cédric Wermuth, deputet i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës (SP), dëshiron të zgjidhet deputet – por kësaj radhe në dhomën e vogël të parlamentit, në Ständerat. Parlamenti zviceran përbëhet nga dy dhoma: Nationalrat dhe Ständerat. Kush zgjidhet në Ständerat, ka arritur një nivel të lartë në politikën e Zvicrës, pastaj mund të ëndërrojë apo të jetë kandidat serioz që një ditë të bëhet ministër (Bundesrat). Zvicra i ka vetëm 7 ministra. President nuk ka. Çdo vit një ministër ushtron edhe detyrën e presidentit.

Kurti dhe Wermuth gjenden në fushatë elektorale. Kur vendosën të takohen me shqiptarë (kryesisht përkrahës të Vetëvendosjes) ata e dinin: nuk kemi asgjë për të humbur, vetëm mund të fitojmë: Kurti përkrahjen e njerëzve të diasporës në zgjedhjet parlamentare në Kosovë më 6 tetor, Wermuth ndonjë votë të shqiptaro-zviceranëve për t’u zgjedhur deputet më 20 tetor. Duhet thënë: çdo votë e shqiptarëve për politikanin socialdemokrat zviceran Cédric Wermuth është investim i mirë politik. Wermuth është aktiv në grupin parlamentar të miqësisë Kosovë-Zvicër, ai angazhohet për integrimin e shpejtë dhe të gjithanshëm të shqiptarëve në Zvicër, ai kërkon që të hiqen barrierat për marrjen e shtetësisë, ai këmbëngulë që gjithnjë e më shumë të huaj të angazhohen në politikën zvicerane, ai kujton shpesh shokët e tij shqiptarë, me të cilët ka lozur futboll («tepër keq») dhe ka pirë birrën e parë, ai lufton për barazi sociale. Cédric Wermuth është një rebel i politikës zvicerane. Në historinë e re të Zvicrës ai mbahet në mend edhe për këtë gjest: në një mbledhje të partisë është ngjitur në podium dhe e ka ndezur një cigare. Një nga ato me bar.

Për Albin Kurtin nuk dihet, së paku jo publikisht, nëse ndonjëherë gjatë jetës së tij ka tymosur cigare me mariuanë. Por gjatë takimit me mbi 500 bashkatdhetarë në Aarau të shtunën në mbrëmje Kurti dukej se kishte ndikim hipnotik mbi masën e njerëzve. Për këtë pak më vonë në këtë tekst.

Para se të debatonte me kolegun e tij zviceran, Kurti foli mbi gjendjen në Kosovë, për të cilën ka folur shpesh viteve të fundit. Ajo gjendje mbetet e rëndë, në shumë sfera e pashpresë si pasojë e qeverisjes së keqe, grabitqare. Diaspora, tha Kurti, nuk ka ardhur në Zvicër nga qejfi apo dëshira për luks, jo, ajo është përndjekur nga Serbia, ajo ka ardhur këtu si pasojë e shtypjes. Do të kujdesemi, shtoi Kurti, që ky fakt të bëhet pjesë e kujtesës institucionale. Kurti vazhdoi me këto fjalë: «Diaspora është jashtë atdheut, por brenda kombit. Shumë njerëz të mençur kemi jashtë. Shumë studentë të mirë kemi jashtë. Ka mbi 30 mijë biznese shqiptare në Gjermani. Të gjithë ata që duan të investojnë në Kosovë, këtë nuk e bëjnë për shkak se duan të fitojnë, por për shkak se duan të kthehen. Për t’u kthyer ata kërkojnë dy gjëra: kushte dhe siguri». Me humor ai shtoi: «I kemi ndarë punët. Ju punoni, ne pushojmë».

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës premtoi jo vetëm siguri për të gjithë biznesmenët e diasporës që planifikojnë të investojnë në Kosovë, por edhe një lehtësim të mundësive për të votuar: «Kjo është hera e fundit që nuk keni të drejtë të votoni. Me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, mërgata do të mund të votojë në çdo ambasadë e konsullatë të Kosovës». Kurti akuzoi kryetarin e deritanishëm të Kuvendit të Kosovës për bllokimin e ndryshimit të ligjit që do të mundësonte votimin në përfaqësi diplomatike. «E dinë ata përse nuk lejojnë kuti të votimit nëpër ambasada. E dinë ata se çka do të ketë në ato kuti», tha Kurti. Sidoqoftë, dhjetëra djem e vajza, të gjithë simpatizantë të VV-së, këto ditë po angazhohen vullnetarisht për t’iu ndihmuar bashkatdhetarëve që të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhje në Kosovë. Vetëm të shtunën, sipas organizatorëve të tubimit, u regjistruan qindra persona. Ekziston edhe një mundësi tjetër për të marrë pjesë në zgjedhje: fluturimi në Kosovë më 5 apo 6 tetor. Për sall 250 franga. Afishe me këtë ofertë qëndronin të ngjitura në shumë pjesë të sallës ku u mbajt tubimi me Kurtin dhe Wermuth në Aarau. Fjalia qendrore e mbrëmjes – e thënë nga Albin Kurti – ishte mbase kjo: «Kosova nuk e mbijeton edhe një qeveri të kriminalizuar, na ndihmoni ta çlirojmë vendin. Ejani votoni. Ejani si për dasmë të djalit apo vajzës».

Ky ishte më shumë se një tubim politik. Një tubim me një atmosferë të elektrizuar me njerëz të revoltuar. Në një sallë ku revolta mund të prekej me dorë. Me njerëz që duan me çdo kusht ndryshim të pushtetit në Kosovë. Me njerëz që janë ngopur me përralla të pushtetit. Me hajnitë dhe dredhitë. Me poshtërsitë dhe papërgjegjësitë. Me njerëz që krerët e institucioneve i shohin vetëm si vjedhës të pandëshkuar. Me njerëz që nuk frikësohen nga partitë e poshtërsive, sepse secili ka një vend të sigurt pune në Zvicër – një vend me demokraci dhe institucione funksionale, me sundim të ligjit, me ekonomi që rritet çdo vit, saqë ka intelektualë zviceranë që kur pyetën se cili është problemi më i madh i Zvicrës, ata thonë: «Paraja». Në këtë vend ka paturpësisht shumë para, saqë nganjëherë duket se edhe lopët i kanë kambanat prej ari. Në këtë vend jetojnë shqiptarët me rrogat më të larta në botë.

Në fjalën e tij Cédric Wermuth përkujtoi se jo përherë Zvicra ka qenë një demokraci e mirëfilltë. Në vitin 1946 qytetarët e angazhuar ndërmorën iniciativën për kthim te demokracia e drejtpërdrejtë. Më 11 shtator 1949 u mbajt referendumi dhe 50,7 për qind e pjesëmarrësve kërkuan kthimin te demokracia e drejtpërdrejtë. Kështu qeverisë iu morën kompetencat për të sunduar pa i dhënë shansin popullit të thotë mendimin e vet. Wermuth apeloi që edhe shqiptarët të angazhohen sa më shumë në jetën publike të Zvicrës, sepse «ju jeni pjesë e identitetit të Zvicrës, faleminderit që e keni bërë Zvicrën më shumëngjyrëshe dhe më të mirë, jo vetëm në futboll. Dhe: ju kërkoj falje që ky shtet jo përherë nuk ju ka trajtuar si duhet».

Pastaj Kurti dhe Wermuth zhvilluan një debat, ku pak a shumë përsëritën ato që thanë edhe në fjalimet e tyre. Kur moderatorja e debatit e shpalli të mbyllur tubimin, populli i Vetëvendosjes, por edhe kureshtarë të tjerë u vërsulën drejt Albin Kurtit. Secili dëshironte një «selfie» me Albin Kurtin. Atmosfera i përngjante një koncerti të Rita Orës, me dallimin që objekti i adhuruar ishte një politikan nga Kosova, nga i cili jo vetëm përkrahësit e tij kanë pritje të mëdha. Dhe këto pritje po i ngrenë në qiell sidomos përkrahësit e Vetëvendosjes. Së paku një orë Albin Kurti u bart andej-këndej si trofe – për një «selfie». Dikush kishte ardhur nga Gjeneva, dikush nga Franca, e dikush nga Gjermania. Të tjerët: nga të gjitha anët e Zvicrës. Pamjet e ndjekjes së Kurtit për një «selfie» i ngjanin pak ardhjes së Maradonës në Napoli më 1984, kur 75 mijë njerëz pothuaj histerikë e përshëndetën profetin nga Argjentina. Albin Kurti nuk është as profet, as futbollist, ndoshta nuk ka pirë kurrë as mariuanë si Cédric Wermuth, por me gjasë mund ta qeverisë Kosovën mirë. Më mirë se këta të deritanishmit po se po. Si për çdo politikan edhe për Kurtin kur të vijë në pushtet (pa marrë parasysh në cilin post) do të fillojnë vështirësitë e ecjes nëpër rrafsh. Kur je në opozitë lehtë ia jep majave e shpateve, kodrave e havasë. Kurti duket i vetëdijshëm për punët që e presin, andaj edhe premtimet e tij në këtë fushatë nuk janë fluturuese, por të prekshme, shpesh realiste. Sidoqoftë: siç ka thënë matematikani gjerman Georg Christoph Lichtenberg: «Nuk e di a do të bëhet mirë, kur të bëhet ndryshe. Por duhet të bëhet ndryshe për t’u bërë mirë». Mesazhi i mbrëmjes në Aarau ishte ky: jo – krimit, po ndryshimit.