Showbiz

Aktori i ‘Portokallisë’ flet për kohën kur donte të vriste veten

Aktori i ‘Portokallisë’ flet për kohën kur donte

Aleks Seitaj, aktori i Portokallisë, ka folur në “Thumb On” për periudhën më të errët të jetës. Jetonte në Korçë dhe ishte në gjimnaz kur përjetoi probleme të shëndetit mendor dhe pati dëshira vetëvrasëse.

“Kam  pasur mendime vetëvrasjeje pafund dhe jo vetëm kaq. Kam arritur në atë pikë sa e kam dëmtuar fizikisht veten me brisqe, gjilpëra. Familja ime dinte një fraksion të vogël të të gjithës, sepse kur unë isha brenda kësaj historie, isha zhytur deri në atë pikë sa nuk hapesha me askënd. Nuk e perceptoja që mund të flisja me familjen dhe gjithçka do bëhej mirë. Zakonisht kjo ndodh, por kur je në atë dhomë të errët mendon që çdo hap drejt shpëtimit është hap i gabuar.

Tentativat për të vrarë veten nuk ishin një formë për të tërhequr vëmendjen sepse askush nuk i ka zbuluar këto lloj episodesh. Janë akte të dëshpëruara që njeriu përdor për të shfryrë për të nxjerrë dufin e vetes. Në momentin që ti pëson një dëmtim fizik, trupi lëshon adrenalinë dhe ti sikur e gëlltit. Ose tjetra, në momentin që flasim çrregullimet mendore – sepse ky është një çrregullim mendor – kanë një gjë të keqe që janë të padukshme. Nuk është si një krah i thyer. Dhe në momentin që shihja një shenjë në trupin tim dhe shërimin e asaj shenje, mendoja, me mendjen e një adoleshenti, se kështu ndodhte edhe me dhimbjen psiqike që unë po kaloja. Nuk kam kërkuar ndihmë se e dija që në atë pikë që isha, askush nuk do të më ndihmonte”, tha Aleksi që fatmirësisht e ka kaluar dhe kjo është një kohë e largët për të.

https://www.youtube.com/watch?v=UzACabdAt4c

*Ky post është realizuar nga Fabjola Hije referuar intervistës në Thumb On