25 rreshtat e MirësTe gjitha

Akti i fundit për dramën e Teatrit


25 Rreshtat e Mirës/ Ka një rindezje të debatit për godinën e re të Teatrit Kombëtar. Më shumë sesa statuse të aktorëve/artistëve, në Facebook shkruajnë ata që shqetësohen për hapësirën jashtë teatrit, për kullën dhe për një projekt-vendim të fundit të Qeverisë Shqiptare. Nuk jam ekseperte në çështje juridike por në përvojën time si gazetare mund të risjell pa frikë dhjetëra raste kur opinioni publik është përballur me diskutime, edhe fundore ndonjëherë, që me kohën janë mbyllur e në rastin më të keq nuk ka bza më kush dhe në më të mirin janë thënë fjalë të mira. Kur Gustave Eiffel-i i famshëm nisi kullën e tij në Paris, shtresat e larta atje: Charles Gounod, Guy de Maupassant, Alexandre Dumas, François Coppeè, Sully Prudhomme, Ëilliam Bouguereau, Ernest Meissonier, Victorien Sardou, Charles Garnier dhe shkrimtarë e filozofë të tjerë – sepse ata ishin dikur analistët e sotëm – desh e hëngrën të gjallë arkitektin, për monstrën që sot është kulla më romantike në botë, me më shumë turistë, e imituar dhe riprodhuar edhe në qytete të tjera të mëdha. Kjo, jo për të thënë se godina e teatrit do ketë fatin e Kullës Eiffel, po ku i dihet… Pra, që të ketë debat është krejt normale.

Nuk kam asnjë shqetësim për ata që e shohin si një gur politik, por për artistët kam qenë dhe do të jem gjithmonë në anë të tyre. Injorimi i tyre apo më keq akoma i lënies në dorë të kafeneve të Lulzim Bashës, është për gjynah dhe e pafalshme.

Të thirren, të dëgjohen e t’iu respektohet mendimi, shqetësimi, t’u sqarohen pikë për pikë dilemat dhe të trajtohen me dinjitet. Mbase ata janë pak si votues por kanë sa një milion vota, po t’u matësh shpirtin dhe vlerën që i japin shoqërisë shqiptare. Nga ana tjetër, si gazetare, kam pyetje edhe për artistët: Ata janë të shqetësuar për hapësirën brenda teatrit apo atë jashtë tij? Ata kanë hallin e Teatrit apo te Tiranës? Cili është shqetësimi i tyre, si qytetarë apo si aktorë?

Sa për qeverinë, bashkinë dhe çdo njeri që ka në dorë, para se të dëshmojë pushtetin e vendimmarrjes të përdorë pushtetin e njerëzores. Të dëgjohen artistët dhe këta të fundit të jenë të gjithë bashkë një herë të vetme. Sa për sherrnajën e radhës online dhe përpjekjet për të futur xixa e përfituar politikisht, nuk ia vlen ai teatër, se më mirë shkojmë e shohim drama dhe komedi tek i riu. Dhe druaj se shumica e njerëzve ende s;e di për çfarë është beteja. Veç dëgjojnë se protestohet dhe u ngjitet si zamkë paragjykimi në kokë. Është e përsëritur kjo çështja e betejave kundër të resë, kundër asaj që ndërton kundërshtari. Hape Zogun e Zi – prishe Zogun e Zi; nise sheshin – mbylle sheshin – pastaj hape prapë sheshin; hiq pllakat të Piramida – bëje parlament pastaj lere monument. Xhanëm, pse shkoj kaq larg? Boll t’ju tregoj një histori të vogël personale. Kur duhet të shembnim një mur në shtëpi për të ndërtuar një derë, në shtëpi u ndamë në dy pole. Mami kundër dhe me ‘oi’, babi gjysmë pro, me shpresë se do fitonte mami në fund, unë dhe vëllai për derën dhe jo për murin. Meqë lekët i kish vëllai emigrant, u rrëzua muri, fitoi dera dhe prindërit humbën me bindjen se fëmijët e tyre dolën të mbrapshtë dhe u dëgjuan shembuj deri në kushërinjtë e shtatë sesa të dëgjuar ishin e sa u shkonte fjala prindërve të tyre. Sot që flasim, nëna ime është një fanse e derës dhe hera-herës e dëgjoj që thotë se nuk kishte thënë ‘jo’ tamam tamam, veç kish pasur hall se ja nuk dilte bukur?!/ Tiranapost.al