Aktualitet

Aksioni i ujit/ Nxitoni! Keni afat deri në 31 janar për lidhjen e kontratave

"U bëjmë thirrje qytetarëve që deri në datën 31 janar të aplikojnë dhe të lidhin kontratat e tyre", kështu ka thënë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku. Bashkia e Tiranës doli sot  në terren për të bërë verifikimin e rasteve të shkeljeve ndërsa në pikat e UKT-së është rritur numri i qytetarëve të cilët janë paraqitur për pagimin e faturave të prapambetura dhe lidhjen e kontratave të reja.

“UKT-ja, si pjesë e fushatës mbarëkombëtare për reformën e ujit, ka nisur prej kohësh aksionin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, si dhe lidhjen e kontratave të reja, për të gjithë ata qytetarë apo kompani që kanë lidhje uji të paligjshme. Ka pasur një përgjigje shumë të madhe nga ana e njerëzve për të gjithë këtë sipërmarrje dhe gjatë këtyre dy ditëve, vërtet kemi një volum shumë të madh njerëzish në secilën prej pikave të kujdesit ndaj klientit. U bëjmë thirrje qytetarëve që deri në datën 31 janar të aplikojnë dhe të lidhin kontratat e tyre”, tha Mazniku.

Nga muaji shkurt, grupet e taks-forcës do të jenë në terren për t’i dhënë fund vjedhjes së kësaj pasurie publike. /Tiranapost.al