Aktualitet

Aksi rrugor që duhet shmangur... ka shumë trafik

Aksi rrugor Shkodër-Lezhë gjithmonë ka qenë shumë problematik, dhe sot po ashtu është rruga me më shumë trafik. Kjo për shkak të fluksit të madh në hyrje dhe dalje nga pikat e kalimit kufitar të Muriqanit dhe Hanit të Hotit.

Për sa i përket akseve të tjera rrugore, policia bën me dije se fluksi i lëvizjes së makinave është normalizuar, ndërsa nga 07.00 deri në orën 09.00 kanë pasur shumë ngarkesë.

Policia e Shtetit ka zbarkuar në terren me makina, biçikleta e motorë për të menaxhuar situatën në këto ditë vere. Deri tani kanë hyrë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar 21.890 shtetas, si dhe 4975 automjete.

Për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që tejkalojnë shpejtësinë tej limitit të lejuar duke u kthyer në burim aksidenti dhe rreziku për përdoruesit e tjerë të rrugës, policia po kryen edhe kontrolle me radarë automatikë.

Ndërkohë në të gjitha plazhet e vendit punonjësit e policisë po patrullojnë me biçikleta dhe motoçikleta që prej orës 06:00 të mëngjesit dhe do të vijojnë deri në orën 22:00.

Për çdo problem policia ka vënë në dispozicion numrat e telefonit 112 e 129./ E.D/ Copyright Tiranapost.al