Aktualitet

Ahmetaj sqaron vendosjen e TVSH-së: Nuk rriten çmimet, ja kush përjashtohet

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka reaguar sot për vendosjen e TVSH-së për bizneset e vogla. Në një lidhje telefonike me emisionin “Opinion”, Ahmetaj ka thënë se nuk bëhet fjalë për taksë të re pasi TVSH-ja prej 20% është e përfshirë në çdo mall, megjithëse ndonjëherë nuk shkruhet në faturë.

A ka ndonjë mall që prodhohet në Shqipëri apo importohet në Shqipëri që nuk e ka të përfshirë 20%? Çdo mall e ka 20%, ose paraqitet në faturë ose është e përfshirë, që do të thotë: Nuk ka taksë të re, është shtrirje e deklarimit. Unë jam i bindur, që i njëjti çmim është në një biznes të vogël dhe në biznesin e madh. E dyta, që është shumë e rëndësishme. Për arsye të TVSH-së asnjë biznes nuk do të falimentojë. Ekonomia ka efektet e veta në çdo lloj biznesi, por jo TVSH”, ka thënë Ahmetaj duke siguruar se nuk do të ketë rritje të çmimeve.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe kategoritë që do të përjashtohen nga skema e TVSH-së. Ato janë zejtarët, fermerët, profesionet e lira që kanë vendim në Gjykatën Kushtetuese, berberët dhe tregjet e bashkive./Tiranapost.al