• Shqip
  • English
  • E hënë, 18 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Anti-Politika Opinion Të gjitha

    Ah, ato pasdite të mallkuara çaji!


    ANTIpolitika

    Nga Alfred Peza

    Kur një nga aspirantët për të themeluar parti të re politike në Shqipëri, po më shpjegonte një ditë të gjitha arsyet se përse mendonte se do kishte sukses, argumenti i tij i fundit ishte: Pse, çfarë ka më shumë Ilir Meta, që arriti deri këtu?

    E unë, duke i’a pranuar si vlerë koshiencën se të paktën nuk më përmendi PS dhe PD, i’a ktheva: Për të patur edhe partia jote, suksesin e LSI, veç të tjerash duhet të plotësosh kushtin që të kesh bashkëshorte, Monika Kryemadhin.

    Qeshëm dhe aty u kujtua dhe filloi të rendiste ndoshta edhe më mirë se unë, sesa i rëndësishëm kishte qenë roli i saj jo vetëm si bashkëshorte. Por mbi të gjitha si një politikane, që e kishin bërë ndër vite projektin e tyre politik, t’i ngjante një lokomotive që kishte udhëtuar nëpër stacionet elektorale, mbi dy shina: Të sajin dhe të bashkëshortit kryetar partie.

    Sot e shoh liderin e kësaj partie të re në fushatë duke kërkuar vota për herë të parë nëpër Shqipëri, por asnjëherë nuk më kujtohet që të jetë dukur gjëkundi, edhe me bashkëshorten në krah!

    Në politikën shqiptare bashkëshortet janë parë më së shumti nëpër histori, si sfond dhe jo si pjesë e lojës dhe rolit politik të burrave të tyre udhëheqës. Pakkush ka shkruar për bashkëshorten e Ismail Qemalit, ndërkohë që Princesha Sofia, bashkëshortja e Princ Vidit ka më shumë hapësirë në publicistikën, historinë dhe letrat shqipe.

    Sikundër më pas Mbretëresha Geraldinë, për të cilën as komunistët që 50 vjet e anatemuan Mbretin Zog, nuk thanë asnjëherë qoftë edhe një fjalë të vetme, të keqe për të.

    Nexhmije Hoxha ndoshta edhe për shkak të angazhimit personal gjatë luftës së madhe, mori rol politik dhe publik në jetën e vendit, si dhe bashkëshortet e disa prej drejtuesve të tjerë të elitës komuniste të Tiranës. Duke krijuar një qasje të re në këtë drejtim, për historinë tonë politike. Një traditë kjo që për fat të mirë, nuk u trashëgua pas rrëzimit të regjimit dhe roli i bashkëshorteve të politikanëve, tashmë duket i ridimensionuar totalisht. Duke ndjekur edhe në këtë pikë, pak a shumë trajektoren e një trendi botëror, në demokracitë e tjera më të konsoliduara.
    Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 1932, kur mësuan se Leonor Rusveld takonte çdo pasdite, grupe të ndryshme grash që mblidheshin në kopshtin e shtëpisë së njërës prej tyre për të pirë çaj e për të biseduar për qejf, stafi i Presidentit në detyrë Herbert Huvër, i cili po garonte për mandat të dytë, e shndërroi këtë fakt në objekt rromuzesh e qesëndisjesh.

    Ndërkohë që sfidanti i tyre Franklin Rusveld, vazhdonte ashtu me kufizimet e veta fizike për shkak të paralizës nga sëmundja e poliomelitit, fushatën anekënd SHBA-së. Ishte hera e parë që bashkëshortja e një politikani, bëhej pjesë aktive e fushatës së tij.

    Politika konsiderohej ende një ekskluzivitet i burrave dhe gratë amerikane kishin veçse 12 vjet që e kishin fituar të drejtën e votës. Kur fushata mbaroi dhe në kulmin e depresionit të madh ekonomik që kalonte vendi, demokrati Rusveld u nis drejt Shtëpisë së Bardhë, stafi i Huverit ishte në kulmin e dëshpërimit.

    Dikush prej tyre, mërmëriste pa pushim: Ah, ato pasdite të mallkuara çaji! Kanë rrjedhur shumë lumenj çaji që nga ajo kohë, derisa mbështetja që bashkëshortet i japin burrave të tyre në politikë, gjithsesi mbetet akoma shumë më e madhe sesa e anasjellta.

    Sepse me gjithë revolucionin e barazisë gjinore dhe balancës së përfaqësimit, është fakt se në masën më të madhe, skena politike botërore dominohet ende nga meshkujt. Ndoshta kështu do të jetë, edhe për shumë vite të tjera, pavarësisht se bota po ndryshon aq shumë sa në samitin e fundit të NATO-s në Bruksel, në panelin e bashkëshorteve të krerëve të vendeve anëtare, pozonte edhe bashkëshorti homoseksual i kryeministrit të Luksemburgut, Xavier Betel.

    Ka vende dhe demokraci, ku komponentja e bashkëshortes së drejtuesit të vendit, luan rol jo të vogël në masën e pëlqyeshmërisë së tij popullore. Zhaklin Kenedi ishte e para që e revolucionarizoi njëherë e përgjithmonë këtë raport me votuesit dhe me pushtetin politik të bashkëshortit të saj President të SHBA.

    Si edhe Nensi Regan më vonë, e më pas bashkëshortet e dy Bushëve, Hillari Klinton, Mishelë Obama e deri tek më e fundit, Melani Tramp. Sheri Bler në Britani, Karla Bruni në Francë për tëpërfunduar tashmë tek historia e Presidentit të ri Makron, që ka patur përkrah që ditën e parë në politikë bashkëshorten Brixhit, e cila ka qenë mësuesja e tij në adoleshencë dhe është 24 vjet më e madhe se ai në moshë.
    Pas 1990 në Shqipëri, Liri Berisha erdhi duke e ngritur profilin e saj publik me kalimin e viteve, duke marë një rol më aktiv. E duke e orientuar angazhimin e saj, në aktivitete ku pak a shumë i sheh të angazhuara edhe bashkëshortet e liderëve të tjerë politikë nëpër botë.

    Duke dashur të ishte komplomentare me pjesën politike të angazhimit të bashkëshortit të saj. Rexhina Nano mbajti profil të ulët publik, gjithnjë e tërhequr dhe i vetmi xhest ndryshe, ka qenë më pas botimi i një libri për jetën e saj. Ndërkohë që Xhoana Nano ka qenë shumë më e pranishme përkrah bashkëshortit politikan, me përjashtim të ndonjë interviste shumë të rrallë, por asnjëherë nuk tentoi që të merte rol aktiv publik.

    Ndërsa bashkëshortja e Lulzim Bashës, u bë aktive përkrah tij më së shumti gjatë tre muajve të protestave të PD në çadrën e bulevardit. Ndërsa Linda Rama ka ruajtur të njëjtën staturë publike që ka patur për shkak të profilit të saj profesional, duke i shtuar disa penelata më shumë. Për të qenë prezente vetëm indirekt në jetën politike, me pjesëmarrjen në ndonjë aktivitete me gazetaret, në promovime librash, aktivitete për të drejtat e njeriut, në të rrallë me ndonjë shkrim a intervistë dhe gjatë eventeve kulturore ku merr pjesë bashkëshorti i saj Kryeministër.

    Angazhimi i bashkëshorteve të politikanëve, bëhet edhe nëpër fushata elektorale qoftë për zgjedhjet lokale, kryesisht në bashkitë kryesore të vendit, e qoftë nga kandidatët të ndryshëm për deputetë, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare si këto të kësaj të diele të 25 qershorit.

    Por, pa marrë asnjëherë rol kryesor dhe si protagoniste. Përkundrazi, duke qenë mbështetëse dhe suportuese të mira të angazhimit të bashkëshortit politikan. Në rastet kur ndodh, kjo i’a shton sadopak hijeshinë edhe vetë fushatave, duke i dhënë një dimension më human, më familjar e më pranë njerëzve dhe asaj çfarë duhet të jetë politika në realitet. Pasja e bashkëshortes në krah nga politikanët, i jep më shumë siguri atyre që i votojnë, duke ndikuar edhe në zbutjen e kundërshtarëve të tyre.

    Por pavarësisht nga të gjitha këto, ish kryeministrja britanike Margaret Theçer, kishte një tjetër mendim. Sipas saj “çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”.

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post