Lajme nga Bota

Abuzimi me fondet europiane: PE i përgjysmon pagën Le Penit dhe heton truprojën e saj

Abuzimi me fondet europiane: PE i përgjysmon pagën Le Penit dhe heton

Truproja dhe asistentja parlamentare e Marine Le Pen jan zyrtarisht të ndaluar nga autoritetet e Parisit. Thierry Legier dhe Catherine Griset janë marrë në pyetje në kuadër të hetimeve që po kryehen mbi aktivitetet e dyshimta të kryetares së Frontit Nacional në Parlamentin Europian.

Legier ishte i pari që dëshmoi sot në mëngjes në ambientet e policisë gjyqësore në Paris. Më pas u mor në pyetje edhe Catherine Griset, sekretarja personale e Marine Le Pen. Sipas mediave franceze, dy personat pranë lideres së nacionalistëve mund të lirohen shumë shpejt pa akuza ose do të dërgohen në gjykatë për një vendim formal.

Disa ditë më parë, Marine Le Pen u përfshi në një skandal financiar. Mësohet se paratë e Parlamentit Europian janë përdorur për të paguar një truprojë. Në teori, kjo shumë parash ishte përcaktuar për t’u shpenzuar për asistentët parlamentarë të Le Penit në Strasburg. Por hetimet e OLAF, organit hetimor të Parlamentit Europian, kanë zbuluar se paratë gjatë gjithë kësaj kohe janë shpenzuar për tjetër gjë. Në këtë pikë, PE i kërkon kryetares së Frontit Nacional që të dëmshpërblejë Parlamentin me shumën e 340 mijë eurove. Le Pen nuk pranoi ta bënte këtë rimbursim duke bërë një denoncim ndaj zyrtarëve të OLAF, hetimet e të cilëve i quan si “persekutime eurokratësh”.

114020640-389c2506-129a-4659-95a2-2c19b6785916

Ndërsa hetimet vazhdojnë, administrata europiane ka marrë masa ndaj Le Pen duke i ulur pagën mujore nga 6200 ne 3100 euro dhe duke i hequr të gjitha rimbursimet mujore që kapnin shifrën e 4342 euro.

Duket se në prag të zgjedhjeve, skandalet kanë përfshirë të gjithë kandidatët potencialë. Fillimisht ishte Fillon ai që u akuzua për favorizime me fonde publike të bashkëshortes; më pas kandidati tjetër Emmanuel Macron u akuzua për marrëdhënie homoseksuale me një nga pronarët e mediave në Francë. Së fundi, edhe Marine Le Pen është përfshirë në një skandal financiar, ku po hetohet si nga autoritetet franceze ashtu edhe nga ato europiane.