Aktualitet

Abonetë e urbanëve, Bashkia ka një njoftim për qytetarët

Për të gjithë qytetarët e Tiranës, Bashkia ka një njoftim të rëndësishëm. Pas kontrolleve të ushtruara në fushën e transportit publik, policia Bashkiake thotë se janë të paligjshme dhe të vendosura pa autorizimin e Bashkisë njoftimet e disa operatorëve të linjave urbane.

Në këtë mënyrë kundërshtohet pretendimi i linjave të transportit, sipas të cilave urbanët do të njihnin vetëm abonentë që plotësonin kushtet specifike.

Këto rregulla të kërkuara nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, përveçse do të krijonin radhë dhe procedura të panevojshme, do t’i mohonin të drejtën e përdorimit të abonesë anëtarëve të familjes, apo personave të tjerë të afërt.

Njoftimi i plotë:

“Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga data 1 Gusht 2017 e në vazhdim, në zbatim të nenit 10 të ligjit nr. 8308, datë 18.3.1998, abonoja përdoret vetëm nga personi i shënuar në këtë dokument. Me foton përkatëse (me përmasa 3x2x5), në të shënohen dhe emër, mbiemër, ditëlindje.

Cilido përdorues tjetër i abonesë NUK DO TË PRANOHET TË UDHËTOJË NË AUTOBUS PA BLERË BILETË UDHËTIMI”

Në disa linja kishte njoftime edhe sa i përket aboneve të studentit, ku njoftohej se do të njiheshin vetëm të shoqëruara me kartën e studentit dhe vërtetimin e rektoratit.