• Shqip
  • English
  • E enjte, 17 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Kontribues Të gjitha

    A po i intimidon Vettingu njerëzit e drejtësisë të bëjnë punën e tyre?


    Dënimi i Saimir Tahirit si i pafajshëm është ndoshta rast i freskët se si njerëzit e drejtësisë, prokuroria, gjykata, nuk janë të lirë siç i kemi pritur nga Vettingu, por të mpirë. Boll të mendosh vendimin e Tahirit ku duke mos ndarë fajin nga pafajësia, Drejtësisë i lëvizi ( ANOI)  peshorja. Në fund të një procesi, një i akuzuar del ose i pafajshëm ose i fajshëm dhe në drejtësi nuk mund të ketë “një cikë me faj”!

    Dhënia e drejtësisë gjithmonë e më shumë në opinionin publik krijon bindjen se kur ka fajtor, ka drejtësi. Ndoshta se në Shqipëri fajtorët i amnistojmë ose më keq akoma nuk i dallojmë. Ngaqë vetëm akuzojmë dhe e vërteta përflitet në aq shumë versione sa edhe protagonisti e humbet fillin.

    Le të marrim disa fakt/prova nga ajo ç’ka pamë në gjyqin e Tahirit, që krijoi fotografinë se vettingu jo që nuk i ka bërë më të fortë e të pavarur ekzekutuesit e drejtësisë, por po i shfaq ata si njerëz aq të dobët e të trembur sa më s’ka!

    Pyetje: – Sa efekt mund të ketë pasur vettingu tek tre gjyqtarët që morën vendimin që të tre nuk e kanë kaluar ende atë?

    Orët e gjata për ta artikuluar vendimin a të bëjnë të dyshosh në presionin psikologjik të gjyqtarëve, të cilët patën kohë mjaftueshëm për t’i parë provat dhe akuzat dhe një bindje ka qenë që më herët dhe jo pasditen e 19 shtatorit?

    Orët e gjata a dëshmuan pasiguri dhe pse jo frikë për punën e tyre, e cila me vettingun futet në lupë me pikë e presje?

    Nga ana tjetër, vendimi i gjykatës shënoi një konflikt të pastër ndërmjet organit te akuzës dhe gjyqësorit. Ish ministri u dënua jo për akuzat e ngritura si trafikant por për shpërdorim detyre. Një nga institucionet ekzagjeroi!

    Pse prokuroria nuk ia doli t’i japë prova të mjaftueshme gjykatësve për të marrë një vendim të qartë dhe jo ambig? Në një drejtësi normale të pakompleksuar nga opinioni publik dhe sidomos nga ai politik apo ndërkombëtar, ish-ministri Saimir Tahiri ose duhej të dënohej ose duhej të shpallej i pafajshëm. Gjetja e një rruge të çuditshme, me terma të padëgjuar, dëshmoi frikën që ka kapur togat e zeza dhe paralajmëron se vettingu (të paktën sot) nuk po e shkëput drejtësinë nga hija e politikës, por, përkundrazi, mund të jetë duke e tranuar më shumë atë. Vettingu i ka sjellë gjyqtarët tek opinioni publik si nxënës të trembur, dhe ata që ia kanë dalë ta kalojnë, nuk duken më heronj sesa ata që humbën përfundimisht karrierën, në jo pak raste për arsye banale.

    Do të ishte më e fisme ose thjesht e drejtë, për trupën gjyqësore edhe për ish-ministrin një vendim i qartë: burg ose liri! Sepse drejtësia nuk funksionon si panel analistësh, ku 1 +1 bëjnë tre. Në drejtësi duhet të bëjnë vetëm 2.

    Mund të jetë vettingu si puna e vaksinës, që fillimisht të jep temperaturë dhe më pas të mbron nga sëmundjet? Kushedi, gjyqi i Tahirit shpërfaqi temperaturën nga kjo vaksinë, por ky është gjykim gazetaresk. Njerëzit e drejtësisë kanë mallkimin që të vendosin prerë e ftohtë, sepse vetëm kështu do të mund të bëhet drejtesia, ky vend dhe kjo shoqëri, me besim në vlera, sidomos jë prova dhe jo në telenovela. Nëse vettingu i ka shndërruar prokurorët dhe gjyqtarët në viktimat e tij, që edhe nëse nuk kanë frikë politikën, as të akuzuarin, por t i tremben hijes së tyre, atëherë ç’u pa?! Nëse ende shteti vepron mbi ta, por veç në një formë të re, më keq akoma!

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]