Ta thotë doktoreshë Silva

A mjafton vetëm kremi për të luftuar celulitin?

A mjafton vetëm kremi për të luftuar celulitin?

Përshëndetje! Jam 35 vjeç dhe deri para kësaj moshe nuk kam pasur kurrë celulit edhe pse nuk kam bërë aktivitet sportive. Ka disa muaj që ka filluar të më shfaqet në zonën e vitheve dhe kofshëve. Kam marrë një linjë produktesh të një marke të njohur (Collistar), por nuk shoh ndonjë ndryshim. Ajo që dua të di është a mjafton vetëm kremi në luftën kundër celulitit? Përpiqem të ha shëndetshëm, por sport nuk kam mundësi të bëj. Faleminderit

Celuliti është problem i lëkurës që prek 90% të femrave dhe vjen si pasojë e presionit të depozitave dhjamore të nën lëkurës mbi kolagjenin e indin lidhor (në formë rrjete) e që bëhet e dukshme në sipërfaqe në formën e lëkurës së portokallit deri në gropa e toptha yndyre të dukshme.

Me kalimin e moshës, prodhimi i hormonit estrogjen bie, gjë e cila pakëson qarkullimin e gjakut në inde, dhe që rezulton në më pak kolagjen të ri e për pasojë dobësim të indit lidhor, i cili pengon daljen e depozitave dhjamore në sipërfaqe të lëkurës.

Gjithashtu, trashëgimia, dieta e bazuar në karbohidrate, aktiviteti fizik i kufizuar e duahanpirja luajnë rol në zhvillimin e celulitit. Nëse me gjenet nuk mund të luftojmë, mundemi të rregullojmë faktorët e tjerë të jashtëm. Aktiviteti dhe ushtrimet fizike të rregullta forcojnë muskujt dhe rrisin tendosjen e lëkurës, e cila e bën më pak të dukshëm celulitin. Dieta ushqimore me pak karbohidrate, e pasur në proteina fruta e perime me përqindje të lartë uji ndihmojnë në pakësimin e depozitave dhjamore. Por jo domosdoshmërisht pesha lidhet me tendencën për të patur celulit (mund të jesh e dobët e të kesh celulit dhe anasjelltas).

Kremrat e ndryshme dhe vajrat anticelulit me përmbajtje kafeine, gingo biloba, derivate të vitaminës A etj., ndihmojnë përkohësisht si rezultat i përmirësimit të qarkullimit të gjakut, rritjes së elasticitetit e tonifikimit të lëkurës si dhe pakësimin e dopozitave yndyrore në qelizat dhjamore. Pra, ato e bëjnë më pak të dukshëm duke e maskuar nën një lëkurë më të shëndetshme por nuk e eliminojnë atë dhe për rezultate të dukshme duhet t'i aplikoni rregullisht e akoma më mirë ti shoqëroni me masazh.

Për rezultate më afatgjata mund të drejtoheni në klinika dermoestetike ose estetike që ofrojnë trajtime me aparatura radiofrekuence (Thermage), Endemologie (LPG), lazera jo invazive, radiofrekuence të kombinuar me ultratinguj si Açent Prime (radiofrekuenca përmirëson indin lidhor dhe tonifikon lëkurën, ultratingujt pakësojnë depozitat dhjamore). Këto trajtime duhet të kryhen me seanca të rregullta e japin rezultate të dukshme që zgjasin për rreth 1 vit, por duke përsëritur seanca mirëmbajtjeje të herëpashershme rezulltatet mund të shtrihen më shumë në kohë.

Ndër procedurat me rezultate më afatgjata (2-3vjet-jo përgjithmonë) momentalisht kosiderohet celulaze dhe cellfina, të cilat nëpërmjet ages ose rrezes lazer shkatërrojnë qelizat dhjamore e septumet ndarëse të tyre si dhe stimulojnë prodhimin e kolagjenit të ri. /Tiranapost.al/

Dr.Silvana Mishtaku

Klinika VIVIA

Email: [email protected]

Instagram : silvanamishtaku