Aktualitet

A kishte vërtet prova prokuroria?

Ja cilat janë “provat që u dekonspiruan” dhe disa pyetje për prokurorinë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka reaguar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp duke thënë se anëtarët e Këshillit të Mandateve, megjithëse kanë nënshkruar një deklaratë për ruajtjen e sekretit hetimor, kanë nxjerrë në media prova të ndryshme të procesit “Habilaj” ku pretendohet se është i përfshirë edhe deputeti Saimir Tahiri.

Por, a ka pasur realisht prova?

Përgjimet e grupit të Habilajve ku përmendej edhe emri i Saimir Tahirit ishin publikuar në media përpara se të zhvillohej mbledhja e parë e Këshillit të Mandateve ditën e premte.

Gjithashtu edhe lëvizjet e Saimir Tahirit me makinën që i kishte shitur Artan Habilajt u publikuan përpara se të zhvillohej kjo mbledhje e për më tepër Tahiri e pranoi në studion e emisionit “Opinion”.

Duket se prova e vetme që dekonspiroi në media sot është se ekziston dëshmia e një polici (ose policeje femër) që ka deklaruar se Habilajt i kishin thënë se Saimir Tahiri ishte kushëriri i tyre.

Ndërkohë që në deklaratën e prokurorisë, bie në sy që nuk ka asnjë fjalë të vetme për videon e publikuar nga Sali Berisha të aksionit në Babicë të Vlorës ku u sekuestruan 4 ton drogë. Gjithashtu asnjë fjalë se si dosja “Habilaj” shkoi më shpejt në tryezën e Lulzim Bashës, se sa në selinë e Kuvendit. E për më tepër, se si shpjegohet që Gent Strazimiri kishte në mbledhjen e ditës së premte informacion konfidencial të prokurorisë?

Pra të gjitha këto fakte, të bëjnë të shtrosh pyetjen se a ka pasur vërtetë prova, apo prokuroria po kërkon të justifikojë veten pas “blofit” në Këshillin e Mandateve?/Tiranapost.al