Aktualitet

A fle lepuri te karrigia e Presidentit?

Mira Kazhani/ Tani që rëra ra dhe ajri u pastrua disi në Tiranë po ju hedhim një sy deklaratave të ditës së sotme duke u përpjekur të kuptojmë diçka që realisht nuk po thuhet nga asnjë palë. Dyshimet se koalicioni nuk do vazhdojë kanë rënë, ndërsa një pyetje mbetet e ngrohtë ende.

Meqë koalicioni do vazhdojë, Ilir Meta në deklaratën e parë tha se LSI që do marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit duke mos luajtur me nën tekstet e mëparshme të tipit:- Pa opozitën nuk ka kuptim Parlamenti etj si këto.

Përkundrazi zoti Meta, dhe para tij edhe Luan Rama kanë përsëritur mirë sot një fjali që meriton vëmendje: “Zgjedhje për Shqipërinë dhe jo për partinë”.

Si fjali duket e një profili që flet mbi palët dhe të mendosh që pas zgjedhjeve të 18 Qershorit, akti politik më i madh është Presidenti i ri.

Në disa portale me burime të forta pranë qeverisë është thënë shkarazi se në darkën e “Pazarit të Ri” është folur edhe për çështjen e Presidentit.

Të flitet për Presidentin është gjëja më e natyrshme, sepse kohë nuk ka dhe me një llogari të thjeshtë në mesin e prillit duhet të nisin procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri. Javës tjetër me pak fjalë!

Ka zëra se Meta po e përdor Presidentin sikundër ka zëra se e do Presidentin.

Nëse i referohemi një deklarate të bërë nga ai, nuk ka asgjë të çuditshme sepse Meta në intervista ka shprehur se do donte një President nga LSI.

1-Por a do Ilir Meta të jetë vetë vërtet?

2-A është më e rëndësishme të jesh President sesa Kryetar i Kuvendit? Sipas Kushtetutës aktuale jo. Kryetari i Kuvendit është “ku e ku” me kompetenca para Presidentit.

3-A do ishte zgjedhja e Presidentit hapi i parë për normalizimin e situatës?

4-Situatën politike a do e normalizonte Meta President?

5-A do ai ta marrë Presidentin para zgjedhjeve? Apo pas zgjedhjeve për të mos lënë edhe partinë pa udhëheqje në fushatën e 18 qershorit?

6-A e takoi ai për këtë Shpëtim Idrizin sot?

7-Sa skenarë/pazare janë në tavolinë?

Skenari 1 mund të jetë: Të zgjidhet Presidenti dhe më pas merremi më rrëmujat politike të zgjedhjeve.

Skenari 2 dhe me i frikshmi është që nuk e zgjedhim Presidentin gjë e cila mund ta çojë vendin në stinën e madhe të pasigurisë me një krizë akute institucionale që rrezikon ta kapë përfyti shtetin në 24 Korrik, kohë kur i përfundon afati Presidentit Bujar Nishani.

Në rast se opozita nuk merr pjesë në zgjedhje dhe që sigurisht mazhoranca nuk e ka të lehtë të certifikojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe ku vendi mund të gjendet krejt papritur pa President, pa Parlament, pa Kryeministër, pa shtet, në kaos!

Çfarë është më urgjente?

Po Lulzim Bashës kush i flet në vesh që të vazhdojë në këtë drejtim?

Kujt i intereson destabiliteti i Shqipërisë?

A e zgjidh Presidenti? Edi Rama? Ilir Meta? Lulzim Basha? Zgjedhjet e shtyra dhe të pa shtyra?

Dhe në fund, Amerika çfarë do dhe mund të bëjë? /Copyright Tiranapost.al/