Aktualitet

A duhet të falen gjobat që vë AKU për mungesë license? Ja propozimi në Kuvend

A duhet të falen gjobat që vë AKU për mungesë license?

Amnisti për një numër biznesesh që operojnë në sektorin ushqimor të ekonomisë në vend. Ky është një propozim që është dorëzuar në Kuvend, dhe ka të bëjë me bizneset që janë gjobitur se nuk kanë pasur licensë përkatëse në kohën kur janë gjobitur. Në këtë rast, propozimi është që të mos falen gjobat në kur kapen shkelje të cilësisë dhe standardit ushqimor, por vetëm për shkak të mungesës së licensës, në rastet kur më pas biznesi e ka siguruar.

Ka qenë deputeti Ilir Beqaj i cili ka bërë këtë propozim në Kuvend: Qëllimi sipas tij është lehtësimi i barrës së operatorëve ekonomikë që kanë aktivitet kryesor prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen me shumicë të ushqimeve, si dhe shitjen me shumicë të prodhimeve shtazore, të cilët janë gjobitur nga AKU-ja, pasi nuk kanë qenë të licensuar për ushtrimin e aktivitetit në momentin e kryerjes së kontrollit, por që aktualisht janë pajisur me licensën përkatëse.

Propozohet konkretisht që gjobat e vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për operatorët ekonomikë të biznesit ushqimor, në periudhën 1 korrik 2019 deri në 31 gusht 2019, të falen.

Subjektet që janë gjobitur kanë bërë 1.415 kërkesa për licensë dy muajt e fundit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Numri është 10 herë më i lartë në verën e 2019-ës krahasuar me verën e vitit 2018.  Ky propozim pritet të diskutohet në seancën e radhës në parlament./ Tiranapost.al.