• Shqip
  • English
  • E diel, 18 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Politikë Të gjitha

    99-vjetori i Tiranës kryeqytet, njihuni me dy punonjësit më të vjetër të Bashkisë Tiranë


    Në 99-vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet, Bashkia e Tiranës organizoi disa aktivitete, për të përkujtuar momentet më me rëndësi në historinë e saj, ndërsa nderoi disa nga ata që me punën e tyre të përditshme kanë bërë që Tirana të jetë pak më e mirë. Kreu i Bashkisë Tiranës, Erion Veliaj në shenjë mirënjohje për punën dhe kontributin e dhënë në punët e qytetit në këto dekadat e fundit, vlerësoi sot me titullin “Simbol i Qytetit” dy nga punonjësit më të vjetër të Bashkisë së Tiranës, Gjergj Papavasilin, dhe drejtorin e Protokollit, Valter Gjonin.

    Si Papavasili, ashtu edhe Gjoni, kanë kaluar më shumë se gjysmën e jetës së tyre në shërbim të qytetit të Tiranës, teksa kanë shërbyer në detyra e funksione të ndryshme në Bashkinë e Tiranës.

    Gjergji prej 38 vitesh ka dhënë kontribut të vlerësuar në fushën e planifikimit dhe zhvillimit urban, të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike në qytetin e Tiranës, në arkivin e një sistemi ligjor si dhe në drejtimin e strukturave bashkiake të planifikimit për qytetin e Tiranës. Ky kontribut e ka shndërruar Gjergj Papavasilin në atë që konsiderohet si simbol i gjallë i kujtesës për Tiranën në shumë fusha të veprimtarisë së Bashkisë dhe të qytetit të Tiranës.

    Valter Gjoni për 35 vite pa ndërprerje ka kryer funksione në drejtimin e strukturave bashkiake në fushat e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore, ceremonialit zyrtar, dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Veprimtaria shumëvjeçare në Bashkinë e Tiranës është shoqëruar dhe me një kontribut real gjatë gjithë karrierës së tij për hulumtimin, studimin, publikimin, e vlerave të jetës kulturore, artistike, historike dhe publike të qytetit të Tiranës, por edhe në Bashkinë e Tiranës. /Tiranapost.al/