My TiranaTe gjitha

60 familje rome me shtëpi të reja në Shkozë


60 familje të komunitetit rom tashmë do të kenë një strehë mbi kokë.

Falë projektit “New House – New Life” i financuar nga Bashkia e Tiranës dhe IADSA tashmë këto familje kanë shtëpi të reja në Shkozë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, ishin sot në shtëpinë e Yllit dhe Netës, për t’i uruar ata për banesën e re.

“Në fakt, janë 60 familje, por gjithsej bëhen 280 banorë, ku shumica më e madhe janë engjëjt e vegjël, çunat dhe gocat e bukur dhe shumë të zgjuar me mësime, të komunitetit të Shkozës”, tha Veliaj.

Projekti “New House – New Life” u realizua përmes marrëveshjes së nënshkruar midis Bashkisë së Tiranës dhe IADSA, për rehabilitimin e vendbanimeve të komunitetit rom në Shkozë dhe që kishte për qëllim krijimin e një qendre të re banimi, në territorin e quajtur si “ish Kombinati i Autotraktorëve”, truall në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Përmes këtij projekti u bë i mundur instalimi i 60 strukturave, banesa një-katëshe, me hapësira në përputhje me numrin e anëtarëve të familjeve, me standarde për jetesë të përshtatshme dhe komoditet.

Ndërkohë, të gjitha familjet përfituese rome në shkëmbim të përdorimit pa pagesë të banesës kanë detyrimin të përmbushin në mënyrë të vazhdueshme detyrime, që lidhen me mosshfrytëzimin ekonomik, të marrin masat dhe të sigurojnë regjistrimin e fëmijës në shkollë dhe ndjekjen e rregullt të programit mësimor, të sigurojnë trajtimin shëndetësor të fëmijëve, kur është i nevojshëm. Gjithashtu, këto familje duhet të marrin masat për të regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile fëmijët e porsalindur dhe të pranojnë punësimin nga Zyra e Punës./ Copyright Tiranapost.al

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *