Aktualitet

500 ndërtesa të dëmtuara, Veliaj: Kemi nisur grupet zjarrfikëse dhe të emergjencës në Thumanë e Durrës

500 ndërtesa të dëmtuara, Veliaj: Kemi nisur grupet

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaron se nga një vlerësim paraprak janë rreth 500 ndërtesa të cilat kanë pësuar dëmtime të cilat do të riparohen menjëherë pas kalimit të këtyre momenteve.

Në një intervistë për Euronews, Veliaj thekson se të gjithë grupet e punës janë në terren për të ofruar ndihmë në qendrat sociale, ndërkohë që do të punojnë 24 orë derisa të bëhet një vlerësim profesional i këtyre shtëpive. Ai nënvizon se Bashkia e Tiranës ka ofruar menjëherë një fond prej 100 mijë eurosh si asistencë imediate për Thumanën dhe Durrësin, ndërkohë që janë nisur me urgjencë edhe grupet zjarrfikëse dhe specialistë për të ndihmuar në zonat më të dëmtuara nga tërmeti.

z. Veliaj si paraqitet situata në Tiranë pas tërmetit?

Situata në Tiranë patjetër që është e rëndë, por as që nuk krahasohet me situatën në Durrës dhe në Thumanë dhe gjithë solidariteti i Tiranës në fakt shkon aty ku ka pasur humbje jete dhe shumë dhimbje në qytetet tona fqinje sot. Megjithatë nuk ka kaluar pa dëme, fatmirësisht jo në njerëz, por kemi pasur mbi 500 ndërtesa, shtëpi, kryesisht shtëpi në fshat, në zonat e Tiranës, rrethinë, duke filluar nga zonat e thella Zall Bastar e Zall Herr dhe këtu afër nesh në Vaqarr, Kashar dhe në Farkë, kryesisht shtëpi të ndërtuara me qerpiç, të lëkundura nga tërmeti i 21 shtatorit dhe tani morën një goditje finale.

Në fakt, më vjen keq sepse këtë javën e fundit sapo bëheshim gati të inauguronim shtëpitë e reja që ndërtuam pas 21 shtatorit dhe pa kaluar 2 muaj, na u shtua një çmim me 500 shtëpi të tjera që sigurisht do i rikuperojmë duke filluar që nesër, ndërkohë që sot pasdite në orën 17: 00, Këshilli Bashkiak do të shpërndajë 500 pagesa kesh për 500 familjet e prekura nga tërmeti i kaluar që në fakt me shumë gjasë korrespondojnë edhe me shumë familje që janë prekur me tërmetin e sotëm sepse është e njëjta tipologji në zonat rurale por duke bërë të gatshme këtë pagesë, mund të fillojmë menjëherë në punë ditësh, me fillimin e riparimeve.

Këto 500 pagesa kesh janë për banorët e Tiranës, po për sa i përket atyre në Durrës, çfarë ndihme do japë Bashkia e Tiranës?

Ne do japim edhe këtë herë ashtu siç bëmë edhe herën e fundit, të japim një fond prej 100 mijë eurosh si asistencë imediate, ndërkohë kemi çuar dy zjarrfikëse bashkë me 18 vetë staf, të cilat janë tashmë të vendosura në dy pozicione në Durrës, ndërkohë që një pjesë e madhe e mjeteve të Tiranës, pasi kanë mbaruar pastrimin në Tiranë, siç ka qenë fadroma i kemi çuar në zonën e Kënetës dhe në një lagje tjetër në Durrës, në mos gaboj, tek një nga hotelet dhe besoj që shumë mjete të tjera që kemi mobilizuar edhe nga autoritete private, disa prej tyre anëtarë të Këshillit Bashkiak tashmë janë transferuar në Durrës.

Kryetari i Bashkisë së Shkupit po dërgon një skuadër me drone termike që mjafton të kenë fushëpamje, mund të gjejnë me temperaturën e trupit aty ku ka njerëz të mbetur nën rrënoja dhe më njoftojnë që sapo kanë kaluar kufirin dhe shumë shpejt edhe kjo teknologji e specializuar nga kolegët tanë të Shkupit, do të bashkohet me grupet e kërkim – shpëtimit.

Sa dëme deri më tani janë shkaktuar në Qarkun e Tiranës, sa shtëpi janë tashmë banesa të pabanueshme le të themi.

Numri i godinave që janë dëmtuar, janë rreth 500 dhe kjo është arsyeja pse në zonat në periferi të Tiranës ne kemi hapur të gjitha qendrat sociale të pajisura me shtretër edhe me shërbim psiko-social dhe mjekësor, për momentin janë kryesisht të moshuarit, pra mosha e 3-të, edhe të moshuar të vetmuar, pra që nuk kanë familjarë që të jenë pranë, kryesisht me sëmundje kronike. Ne bëmë një tur sot në të gjitha qendrat sociale ku po ofrojmë edhe ushqim, edhe ku kemi edhe stafin e nevojshëm që do të punojë 24 orë derisa të bëhet një vlerësim profesional i këtyre shtëpive. Rëndësi ka që shpëtuam jetën se pastaj çdo gjë tjetër është e rikuperueshme. Ndërkohë, nëse do të kemi një mbushje të kapacitetit në qendrat sociale, kemi edhe një listë të operatorëve privatë që tashmë janë parakontraktuar nga Bashkia e Tiranës, për t’i hapur dyert e tyre.

Ndërkohë ka pasur një nivel të jashtëzakonshëm solidariteti dhe besoj që stofi real i kombit tonë tregohet në ditë të tilla, ku pafund njerëz janë regjistruar në Bashkinë e Tiranës për të mikpritur shqiptarët e tjerë dhe ata që janë prekur në lagjet e tyre, kështu që në momentin që ne do të kemi një kapacitet të plotë në Qendrat Sociale, do të bëjmë një transferim edhe në ambientet private, apo edhe me familjarë që kanë ofruar vullnetarisht shtëpitë e tyre./ Tiranapost.al.