Showbiz

5 mënyra për të përballuar ndarjen

Le ta themi qartë: të ndahesh me dikë është torturuese. Nuk ka rëndësi nëse ke lënë apo të kanë lënë. Nuk ka rëndësi. Nuk është kurrë diçka e bukur. Të sheshosh male të tëra me profiterole e të zbrazësh kuti me akullore? Bëj atë që ndjen. Askush nuk e kupton dot sa keq ndihesh. Nëse të vijnë në ndihmë, ne po të japim disa ide për ta përballuar këtë periudhë. Gjithsesi, diçka është e sigurt. Do kalojë!

Qaj

Si fillim nuk e mohon dot se ndarja juaj është reale. Ka ndodhur vërtet dhe është e kotë të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë. Po ç’të bësh? Qaj, nëse të vjen të qash. Është normale dhe e shëndetshme të përjetosh emocionet e tua deri në thellësi, në vend që të zbrazësh frigoriferin. Mund të qash aq sa e ndjen ti të nevojshme. Dy ditë ose dy javë. Mos dëgjo asnjëherë nëse të tjerët të thonë boll se e teprove. Secili ka mënyrën e tij të përjetimeve.

Bëj ushtrime

Të bësh sport në këto momente është e fundit gjë që të shkon ndër mend të bësh, por ja që të ndihmon. Vë në lëvizje gjakun dhe ndihmon çlirimin e endorfinave, gjë që do të të bëjë të ndihesh më mirë. Në fund të fundit, ushtrimet fizike jo vetëm do të të ndihmojnë për të skalitur një trup të bukur, por do jenë edhe një ndihmë e mirë nga ana psikologjike. Kjo është e provuar.

Bëj diçka të re

Edhe çmenduritë quhen. Pa u menduar dy herë, bëj atë që të vjen ndër mend. Një ndarje të mpin, të lë të plogësht dhe pa pikën e stimulit. Të bësh diçka të re do të thotë të ndihmosh veten për t’u ndjerë sërish njeri i gjallë. Hidhu me parashutë, dil për një fundjavë larg. Bëj atë që do të të shkundë nga apatia.

Look i ri

Gjëja më inteligjente që mund të bësh në këto momente mund të duket një klishe. Po kot nuk ka marrë formë të tillë. Mos fli mbi dafina. Zgjohu dhe merru me veten. Pri flokët, bli rroba. Në vend të asaj këmishës së zakonshme, bli atë fustan të kuq seksi. Kur dukesh më mirë, ndihesh më mirë.

Respekto veten

Mund të tingëllojë e çuditshme, por ndonjëherë ndarjet mund të jenë bekim. Ndoshta nuk ka qenë personi i duhur, pavarësisht se ty tani të duket një fatkeqësi ajo që ka ndodhur mes jush. Mësimi që të duhet në këto momente është se ti nuk ke nevojë për askënd që të bëjë të ndihesh mirë. Mos e var gjendjen tënde nga të tjerët. Ji personi që je, ki kushtet e tua, pa iu nënshtruar askujt. Vlerëso veten tënde. Me veten do kalosh gjithë jetën tënde.