Aktualitet

5 arsye dhe një zgjidhje për korrupsionin politik

5 arsye dhe një zgjidhje për korrupsionin politik

Endri Shabani në një përballje me profesorin e ekonomisë Selami Xhepa në rubrikën “Universitas të Gazetës Liberalele parashtron 5 arsyet dhe një zgjidhje se si mund të financoheshin partirë politke gjatë fushatave elektorale në Shqipëri.

Nga Endri Shabani

Për një moment imagjino sikur je një nga biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri dhe qëllimin kryesor në jetë e ke të maksimizosh fitimin. Për çfarë arsye do të dhuroje para në fushatën zgjedhore? Akoma më tepër, për çfarë arsye do të dhuroje para në mënyrë anonime, duke mos i deklaruar paratë si shpenzime për tatimet dhe duke u deklaruar në listën zyrtare të dhuruesve? Nëse je aq naiv sa të mos kesh një përgjigje, më lër të të jap unë një ide: sepse ke në plan të kesh një derë të hapur tek ai që do të vijë në pushtet. E thënë ndryshe, akses në qeverisjen e vendit.

Në varësi të madhësisë së biznesit tënd, aksesi në qeverisje do të përkthehej në mundësi për të kontrolluar sektorë të pushtetit duke futur njerëz në punë; për të rritur fitimet duke fituar tenderë, për të zgjeruar aktivitetin duke marrë ndonjë leje apo licencë, apo për të kursyer para duke të shmangur ndonjë gjobë a shkelur ndonjë ligj. Sigurisht, nëse ti pastaj do të ishe biznesmen nga ata me B të madhe, mund edhe ta përdorje pushtetin si instrument për të zhdukur konkurrentët, duke influencuar ligje që avantazhojnë biznesin tënd, apo duke i përdorur tatimorët si polici private kundër konkurrentëve.

E di që nuk të duhet shumë fantazi për ta imagjinuar një situatë të tillë. Ky është realiteti ku jetojmë dhe jo një faqe e shkëputur nga ndonjë libër historie apo nga ndonjë përmbledhje përrallash popullore. Në momentin që flasim një dorë biznesmenësh kanë gjithmonë e më tepër peshë në politikëbërje, ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë heq dorë përditë e më shumë nga politika. Në zgjedhjet e fundit parlamentare ne i dhamë Partisë Socialiste rreth 3 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, ndërkohë donatorët privatë i dhanë tri herë më shumë (9 milionë dollarë). Kjo është shifra zyrtare, pa llogaritur financimet e padeklaruara, që aludohet se mund të jenë deri në 20 herë më shumë. Dhe ti ende pret që kjo mazhorancë të punojë për ty e për mua?

Që ky model aktual i financimit të zgjedhjeve nuk është i mirë, këtë e di edhe bufi, por më lër të parashtroj pesë probleme serioze që shkakton ky model dhe pastaj të propozoj një zgjidhje.

E para, ky model financimi nga privatët çon në krijimin e monopoleve dhe kapjen e shtetit. Biznesmenët që dhurojnë shuma të mëdha për fushatat zgjedhore nuk janë budallenj. Por edhe ata që janë, prapë dinë si të mos e hedhin paranë kot, se ndryshe nuk do u kishte mbetur gjë në xhep. Ata duan diçka mbrapsht nga politikani tek i cili investojnë. Kështu që ne përfundojmë me deputetë, kryeministra apo kryetarë bashkie që vijnë në pushtet me borxhe jo ndaj nesh, por ndaj biznesmenëve që i kanë financuar. Mos u habit pastaj kur Parlamenti kalon ligje që kufizojnë blerjet online, apo vendos taksat për eksportin e kromit sipas terezisë së biznesmenëve përkatës.

E dyta, ky model çon në paralizimin e forcës shtrënguese të shtetit. Kur këta financues janë biznesmenë, ata paralizojnë rolin kontrollues të shtetit, duke ulur cilësinë e shërbimeve publike apo duke rritur koston e jetesës. Le të supozojmë sikur një pronar linjash autobusi do të paguante, thuaj, një milion euro në fushatën zgjedhore të një kandidati për kryetar bashkie. Me të ardhur në pushtet ky kryetar nuk do të bënte asgjë më pak se do të lejonte rritjen e çmimit të biletës së urbanit, duke rritur koston e transportit publik pa rritur aspak cilësinë e shërbimit.

Ndërsa kur këta financues janë kriminelë, ata paralizojnë punën e policisë dhe prokurorisë, duke rritur pasigurinë e jetës dhe të pronës në Shqipëri. Për të krijuar një ide, le të supozojmë që një kriminel ka financuar me paratë e drogës ardhjen në pushtet të një partie. Gjëja e parë që ai do të kërkojë mbrapsht do të jetë imuniteti nga procedimi penal në rast se vendos gjoba, apo duke kërkuar favore si fikja e radarëve, krijimi i pistave për avionë apo xhiro me makinë.

E treta, ky sistem deformon cilësinë e përfaqësimit. Nën presionin e konkurrencës, partitë priren të rrisin progresivisht kostot e fushatave të tyre, gjë që në vetvete rrit nevojën për para, duke u rritur kështu varësinë e partive ndaj biznesmenëve. Prandaj shumë parti, që të përballojnë konkurrencën, fillojnë e fusin në listat zgjedhore biznesmenë e trafikantë dhe nxjerrin prej tyre akademikë, artistë dhe personalitete të tjera publike që kanë pasuri të tjera nga ato materialet. Duke e zbrazur kështu parlamentin nga personalitetet që me integritetin e tyre moral dhe formimin profesional, mund të ndikonin pozitivisht në drejtimin e vendit. Për këtë mos më beso mua, por shko dhe kontrollo CV-të e deputetëve dhe krahasoji me ata që kemi pasur 10 apo 20 vite më parë.

E katërta, ky model e bën të vështirë garën e ndershme politike. Po nuk përtove shko te faqja e KQZ-së dhe renditi partitë vetëm në bazë të fondeve që kanë marrë për zgjedhje. Do të shohësh që mund të parashikosh kush i ka fituar zgjedhjet, pa qenë nevoja fare për të numëruar votat. Kjo lidhje e drejtë midis shpenzimeve të fushatës dhe suksesit në zgjedhje është studiuar edhe në vende të tjera dhe dhjetëra studime kanë konfirmuar se kandidati apo partia që grumbullon më shumë donacione zgjedhore rezulton fituese në 85 – 90% të rasteve.

Në mënyrë specifike fondet e fushatës janë vendimtare për kandidatët dhe partitë e reja që vijnë nga jashtë sistemit dhe që nuk njihen nga publiku. Një studim i 2017-s në SHBA konfirmoi se ndërkohë që spotet elektorale mund të mos luajnë ndonjë rol të rëndësishëm për kandidatët që janë të njohur për publikun, ato luajnë rol kyç për kandidatët e rinj, që kanë nevojë të njihen nga publiku. Ndërsa në Shqipëri mjafton të shohësh se tri partitë kryesore kanë dekada që mbijetojnë të pasfiduara nga alternativat e reja, pavarësisht se të gjitha bashkë mblodhën më pak se 45% të votave në zgjedhjet e fundit. Gjithashtu, fushata mund të mos luajë ndonjë rol për militantët, por është thelbësore për elektoratin gri që në fakt është më i interesuar për të dëgjuar alternativat politike.

E fundit, ky model dëmton besimin e publikut tek institucionet publike dhe te demokracia. Nëse votuesit shohin vazhdimisht se përfaqësuesit e tyre punojnë vetëm për një grup biznesmenësh, ata dalëngadalë humbasin besimin tek institucionet, duke bërë që këto të fundit të humbasin legjitimitetin. Gjithashtu, duke besuar se zgjedhjet i fiton gjithmonë ai që ka më shumë para, publiku humbet besimin te pesha e tyre. Mospjesëmarrja në zgjedhje e gjysmës së popullsisë, si dhe studimet e ndryshme mbi rënien e besueshmërisë së publikut tek institucionet publike, e konfirmojnë këtë shqetësim. Pa harruar këtu se një situatë e tillë e bën publikun më të prirur për të mbështetur liderët autoritarë, ose të paktën më pak të gatshëm për të mbrojtur institucionet demokratike.

Këto pesë shqetësime janë në fakt pesë arsye përse modeli aktual i financimit të zgjedhjeve duhet të ndryshojë një orë e më parë, dhe unë propozoj si zgjidhje një financim të plotë nga buxheti i shtetit, duke ndërmarrë tre hapa:

E para, duhet ndryshuar skema aktuale e financimit të zgjedhjeve nga buxheti i shtetit. Aktualisht paratë e buxhetit të shtetit u shpërndahen partive politike që janë në Parlament, duke krijuar një cikël të mbyllur të riprodhimit të pushtetit. Unë propozoj që KQZ-ja ta pjesëtojë buxhetin për zgjedhjet me numrin e votuesve në zgjedhjet e fundit, dhe ta ndajë atë në kuponë të barabartë për çdo zgjedhës. Këta kuponë mund të jenë fizikë, ose në formën e një kodi elektronik që gjenerohet për çdo votues, të cilin ata e përdorin në një sistem online të KQZ-së nga ku ia alokojnë fondin partisë apo kandidatit të tyre të preferuar. Kështu zgjedhjet do të financohen nga buxheti i shtetit, por vetëm përmes preferencave të votuesve, të cilët do i çojnë paratë te kandidatët që gëzojnë besimin e tyre.

Së dyti, të ndalohen burimet e tjera të financimit dhe të rritet buxheti i shtetit për zgjedhjet, duke iu afruar buxhetit real të shpenzuar nga partitë politike sot. Nëse një grup biznesmenësh shqiptarë, që deri dje ishin shoferë e kambistë, paskan aq para sa të financojnë zgjedhjet çdo dy vjet, dhe prapë të dalin me fitim, nuk ma mbush dot njeri mendjen se një shtet i tërë nuk i paska kaq para. Kështu që le t’i riblejmë politikanët tanë dhe t’i çlirojmë ata nga donatorët që i kanë marrë peng.

Së treti, duhet vendosur një tavan për shpenzimet e partive politike. Mund të jetë e vështirë të kontrollosh të ardhurat e një partie, por nuk është dhe aq të kufizosh shpenzimet e saj. Vendosja e tavanit për shembull mbi kohën televizive gjatë fushatës apo në numrin e aktiviteteve elektorale, jo vetëm që krijon mundësi më të barabarta për garim në zgjedhje, por i ndihmon partitë që të dalin nga varësia e parave, në të cilën janë futur. Programet e rehabilitimit për kumarxhinjtë, mund të jenë një shembull inspirues në këtë drejtim.

Përpara se të nxitohesh dhe të më kujtosh histori me shtet, Enver, apo punizëm, po të kujtoj se në SHBA ka disa kohë që po aplikohen modele të financimit të zgjedhjeve nga buxheti i shtetit, apo skema të kufizimit të donacioneve nga subjektet private. Në këto raste, studimet kanë treguar se efekti ka qenë pozitiv. Një studim i Universitetit të Stanfordit ka zbuluar se kur zgjedhjet financohen nga fondet publike kandidati që është në pushtet ka më pak probabilitet për t’u rizgjedhur. Ndërsa një studim tjetër ka gjetur se kandidatët fillojnë dhe të premtojnë më tepër politika sociale dhe janë më kritikë ndaj korporatave të mëdha.

Gjithashtu, përpara se të më kujtosh se aktualisht biznesmenët i financojnë partitë me paratë e tyre, më lër të të kujtoj se në fakt ato janë lekët tona, të cilat ata na i marrin përmes shfrytëzimit të pushtetit për të krijuar monopole, duke na rritur koston e jetesës. Prandaj le të zbatojmë më mirë një skemë tjetër, që i financon zgjedhjet po me lekët tona, por në mënyrë direkte, pa qenë nevoja për të fuqizuar biznesmenët dhe kriminelët (apo bizneso-kriminelët).

A ka kjo zgjidhje sfida teknike? Sigurisht që po, por hej, mos më thuaj që në kohën e kartave të kreditit, të biletave të avionit që të vijnë në celular, të certifikatave zyrtare online, dhe të votimit elektronik kjo është një sfidë e pakapërcyeshme. Dhe le të biem dakord që në këtë rast, sfida kryesore më shumë se teknike është biologjike, dhe ndodhet në materien gri që gjendet mes dy veshëve.

Kështu që para se ta mbyllim, imagjino edhe një herë sikur ke vendosur të kandidosh në zgjedhje, sepse të ka ardhur në majë të hundës me politikanët e korruptuar dhe ke vendosur të bësh diçka për 90% tjetër që nuk ka zë në qeverisjen e vendit. Por të duhen para për të organizuar një fushatë që votuesit të të njohin, por edhe që t’i të komunikosh më mirë me ta, për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre. Nga do të preferoje t’i merrje paratë? Nga ai pronari i linjave të autobusëve urbanë që pret të rrisë prapë çmimin e biletës? Nga kriminelët e drogës që duan të pastrojnë paratë me grataçiela të ngritura mbi gërmadhat e godinave historike? Nga ai biznesmeni që ka monopolizuar burimet natyrore apo privatizuar pronën publike? Apo nga zgjedhësit që presin që të paktën ti të mos jesh një qelbësirë si ata që mbajnë aktualisht mbi supe?/Tiranapost/A.C