Art dhe Kulturë

4 nëntor 1990/ Hapi i parë drejt lirisë së mendjes

"Në atë ditë kurrkush nuk ndihej mysliman, katolik apo ortodoks, fantazmat e përçamjes kishin marrë arratinë dhe të gjithë e ndjenin veten bij të të njëjtit Zot”. – kujtonte Dom Simon Jubani.
4 nëntor 1990/ Hapi i parë drejt lirisë së mendjes

Mirela Kumbaro/ 

Sot është data 4 nëntor.

Në 4 nëntor 1990 u mbajt në Varrezat e Rrmajit Mesha e Lirisë, e para në agoninë e diktaturës.

Ia kremtuam 25 vjetorin me Famullinë e Shkodrës në vitin 2015, pas restaurimit të Kapelës së Rrmajit në një bashkëpunim të veçantë me Dom Artur Jakun dhe Dom-Nike Ukgjinin, përvojë që s’do e harroj kurrë??.

“Dalëngadalë turma drejt elterit u shtua. Mesha e parë në madhështinë e vet mbeti një fakt i izoluem, por shërbeu si fillim i atij organizimi që një javë më pas solli 11 nëntorin, meshën solemne të rikthimit të besimit”, rrëfente Dom Simon Jubani

Dëshmitarë të asaj dite kujtojnë se 4 nëntori ishte një ditë me shi dhe disi e ftohtë.

Kam qenë në ato ditë nëntori të vitit 1990 në Shkodër dhe e kujtoj grinë e ftohtë të këtij qytetit, ku në teatrin Migjeni dhe rreth kësaj kapele po ndizeshin zjarret e parë të lirisë pas një diktature të egër. Më të egrës.

Shkodra ishte qyteti që diktaturën e luftoi me humor, me art dhe me besimin te Zoti.

Nga data 5 e deri në orët e para të datës 11 nëntor, varrezat katolike të Rrmajit u kthyen atëhere në një shesh ndërtimi. Të gjithë, pa dallim feje dhe moshe, me sa mundnin, punonin me forcën e shpirtit për të krijuar vendin e përshtatshëm për meshën që do mbahej për të gjithë.

Në 4 nëntor të vitit 1990 u hodh hapi i parë drejt lirisë së mendjes, ku Dom Simon Jubani mblodhi disa qindra vetë, një javë më pas Fjala u çlirua nga mendja e doli në shesh.

“Në atë ditë kurrkush nuk ndihej mysliman, katolik apo ortodoks, fantazmat e përçamjes kishin marrë arratinë dhe të gjithë e ndjenin veten bij të të njëjtit Zot”. – kujtonte Dom Simon Jubani.

Fjala, që ishte e para, mblodhi në meshën e parë të plotë disa dhjetra mijëra, duke treguar se sa të uritur ishim për Liri e Demokraci.

Kujtojmë sot meshën e parë të Kujtojmë që të mos harrojmë. Të mos harrojmë martirët jo vetëm të Kishës, por edhe të Lirisë së mendimit e të besimit, që u ekzekutuan dhunshëm aty te Çinari i Zef Zorbës.

Jo vetëm kaq.

Në këto varre ka dhe histori të kulturës jo vetëm shkodrane, por mbarëkombëtare!

Aty prehen familjet e Muzhanëve, Shirokajve, Sumajve, Marubëve, Jubanëve, Jakovëve, etj, persona të shquar që bënë emër në fusha të ndryshme në historinë e Shqipërisë: inxhinierët Gjovalin Gjadri, Augustin Briot, Ludevik Zojzi, Kol Idromeno, Pjetër Marubi, Simon Rrota, muzikologët: Prenkë Jakova, Pjetër Gaci, Leonard Deda, letrarët: Hilë Mosi, Kolë Mirdita, Frederik Rrepshja, Kolë Ashta, mjeku Dr.Frederik Shiroka e shumë të tjerë. Në këto varreza prehen eshtrat e klerikëve, krijues të kulturës shqiptare At Giacomo Jungut, Atë Anton Xanonit, Atë Pashko Bardhit, Dom Ndoc Nikajt, Dom Ndre Zadejës, etj. Po këto varreza mbajnë eshtrat e Dom Ndre Mjedës, At Gjergj Fishtës, dhe të klerikëve të lartë kishtarë që dhanë kontribut të paçmuar në kauzën kombëtare.

Pak rëndësi ka origjina ime fetare, ajo Meshë ishte e të gjithëve ne, jam e bindur se fantazmat e përçamjes kanë marrë arratinë dhe të gjithë e ndjejmë veten bij të të njëjtit Zot.

(Fotot 4.10.2015)/ Tiranapost.al.