Aktualitet

34 ushtarakë amerikanë me lëndime në tru pas sulmit iranian

34 ushtarakë amerikanë me lëndime në tru pas sulmit iranian

Pentagoni ka deklaruar sot se 34 ushtarakë amerikanë janë diagnostikuar me lëndime traumatike në tru, pas sulmeve me raketa nga Irani kundër një baze në Irak në fillim të këtij muaji, si përgjigje ndaj vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani.

Presidenti Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë fillimisht thanë se sulmi i Iranit nuk kishte vrarë apo dëmtuar asnjë pjesëtar të shërbimit ushtarak amerikan.

Javën e kaluar ushtria amerikane tha se 11 trupa amerikane ishin trajtuar për simptoma tronditjeje pas sulmit në bazën ajrore Ain al-Asad në Irakun perëndimor ndërsa këtë javë njoftoi se trupa të tjera ishin zhvendosur jashtë Irakut për lëndime të mundshme.

VOA citon zëdhënësin e Pentagonit Jonathan Hoffman  tu ketë thënë gazetarëve se tetë trupa ushtarake që ishin transportuar më parë në Gjermani janë transferuar në Shtetet e Bashkuara. Të mërkurën, Presidenti Trump duket se i minimizoi dëmtimet e personelit ushtarak amerikan, duke thënë se kishte "dëgjuar se ata kishin dhimbje koke dhe ca gjëra të tjera".

Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se nuk ka pasur asnjë përpjekje për të minimizuar ose vonuar informacionin për dëmtimet që lidhen me tronditjen, por mënyra se si ata e trajtuan çështjen e dëmtimeve në tru pas sulmit iranian, ka shtruar pikëpyetje të reja. / Tiranapost.al.