SPORT

Skëndërbeu vuan golin, Teuta feston në Korçë

Skëndërbeu kish fituar 5 ndeshje rradhazi dhe opinioni ishte i bindur se duke pasur parasysh diferencat që kanë skuadrat në organikën e tyre korcarët do përsërisnin të njëjtin sukses edhe kundër Teutës në fushën e tyre. Kjo nuk ndodhi. Madje ishte Teuta ajo që shpesh mund ta vinte në diskutim fitoren dhe në fund barazimi 1-1 ashtu sikundër tha edhe trajneri Magani ishte i drejtë dhe durrsakët patjetër që nuk “kanë vjedhur asgjë”.

Në pjesën e parë Teuta shënoi golin e avantazhit të përkohshëm me anë të Mustës i cili disa minuta përpara se ta dërgonte topin në rrjetë, nëse do ish pak më i qetë mesiguri do kish shënuar sërish. Në pjesën e dytë ashtu si pritej skuadra e Skëndërbeut e rriti ndjeshëm presionin por goli erdhi në minutën e 63 me anë të Xhejms gjatë një kundërsulmi pas një pasimi të artë të Latifit.

Deri në fund të ndeshjes pak gjëra ndryshuan. Skëndërbeu ishte disi më kërkues por nuk krijoi asnjëherë idenë që do ta fitonte këtë ndeshje “patjetër”. Skëndërbeu është për momentin në vendin e parë me një pikë më shumë se Kukësi dhe 5 më shumë se Partizani, por të kuqtë luajnë nesër në Laç ndërsa kukësianët po nesër në Vlorë.