• Shqip
  • English
  • E martë, 23 Prill 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Te gjitha

    25 rreshta për lexuesit e Tiranapost, që duhet ta dinë se…


    Nga Mira Kazhani/ Sa shpejt ikin vitet dhe bashkë me ta njeriu ndryshon dëshira, fantazi, shtëpi, profesion, ndonjëherë ndryshon edhe vetë i tëri. Vitet ikin, jo rrallë mu para syve, kur duke ndjekur një qëllim të mirë, ke bërë një gabim. Kur duke besuar, ke zhgënjyer. Kur duke i bërë keq dikujt, i ke bërë mirë pa dashje. Vitet ikin dhe ato sot bëjnë dallim me modelin e ri të një smartphone-i. Disa ngecin në një vit të jetës, jo për nga pamja sesa nga psikologjia dhe filozofia e të jetuarit. Disa luftojnë, sidomos për pamjen: ta fiksojnë mirë që ajo të mos ndryshojë. Disa duan të mos iu mbarojë mandati i pushtetit, disa ëndërrojnë t’iu kthehet pushteti i viteve që ikën. Vitet ikin dhe Shqipëria është përherë këtu, e varur, e dënuar për të pritur nga ne. Ne, të dënuar se presim nga ajo, ose nuk presim fare dhe ikim. Ikim edhe duke qëndruar këtu, ikim me indiferencë, ikim me maska duke sharë e mallkuar, ikim duke u marrë me të tjerët dhe jo me veten.

    Në Tiranapost, në dy vite, me bashkëpunëtorët e mi, jam përpjekur për Shqipërinë që komunikon, që lexon, që mendon, që edhe kritikon, edhe shan, se nuk jemi për t’u dehur në mburrje kolektive.

    Këtë vit të ri do vazhdojmë të rritemi. Jo në numër, por në cilësi. Do të vijmë edhe në versionin anglisht, sikundër do kujdesemi të mos biem në grackën e fake news, bullizmit, linçimit, gënjeshtrës dhe urrejtjes për atë që matanë telefonit po kurdis një fjali fyese. Do durojmë dhe nuk do ndalemi, as dorëzohemi, para së keqes. Posta jonë është për shqiptarët që nuk ikin, që ndryshimin e bëjnë këtu ku janë, atje ku janë. Ndryshimet nuk ndodhin duke bërë keq e dëm, ato kërkojnë sot më shumë se kurrë për njerëz të vëmendshëm, që lexojnë dhe mendojnë pas një klikimi. Do tentojmë të jemi edhe në letër, sepse online – ta pranojmë – prodhon më shumë emocion sesa mendim. Ky i fundit është një bast i vështirë dhe koha më tregon se për gjëra të mira kurrë s’gjejmë kohë. Kështu do punojmë për të si të ishte një e keqe🙈 upss!

    Vitet ikin shpejt dhe asnjëherë nuk e kuptoj pse duhet aq shumë energji për t’i bërë punët keq, për të bërë keq, kur shumë më mirë, me pak zgjuarsi, llogaritë dalin më shkurt po ta vësh djallin në gjumë.

    Po e mbyll me një poezi të Konicës, që e doja shumë në kohët e gjimnazit, atëherë kur Viti i Ri kishte një shije e botë tjetër, me ëndrra dhe dashuri platonike, me një palë xhinse në dollap dhe ditarë të fshehur nga prindërit.

    Poezia

    Zemra është e ndarë në dy pjesë

    në njërën qëndron dhimbja dhe në tjetrën gëzimi.

    Kur dhimbja fle, gëzimi kërcen

    Hej, gëzim mos bëj shumë zhurmë se zgjon dhimbjen…

    Gëzuar të gjjthëve e festofshi me gëzim e pa shumë zhurmë!

    Nga unë, Mira Kazhani e “25 rreshtave” dhe stafi im i dashur, të cilëve iu jam mirënjohëse që bëjnë pjesë tek shqiptarët që nuk ikin, nuk përjashtojnë por duan diçka më të mirë.

    Për ta lexuar në versionin në gjuhën angleze, kliko në linkun më poshtë./ Copyright, Tiranapost.al. 

    25 things Tiranapost readers should know