• Shqip
  • English
  • E premte, 15 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    25 rreshta me nota autobiografike


    Sot në mëngjes pata një bisedë të shkurtër me Arlinda Dudajn, e cila gjithmonë më dhuron libra, që prej vitit 2007, kur unë nuk isha gazetare e njohur ose kur s’më lëvdonte njeri nën foto apo të më urrente po poshtë fotove me komente. Ishin kohëra kur shkruaja poezi në Facebook dhe Dalina Buzi vetëm kur më takoi para disa vitesh kuptoi që nuk isha llaçkë (budallaqe), siç i qeshë dukur nga statuset e mi melodramatikë. Ka disa faza njeriu kur bëhet poet, pastaj kalon në prozë, ashtu sikundër ka disa që tallen me çdo gjë në jetë ngaqë s’kanë asnjë talent, qoftë edhe të duken pak të lehtë.

    Sot që e mendoj, e kam zili veten në ato kohë naive, të pastra, kur ishim shumë më të lirë si njerëz e si gazetarë. Për t’iu rikthyer sintezës së “Arlinda chat” për librat e rinj, i rrëfeva botueses se isha pa frymëzim, se kisha lexuar vetëm Hararin (Yval Noah Harari) dhe kur eci nga liqeni dëgjoj në kufje vetëm TED Talks për të ardhmen, inovacionin, Amerikën, Europën, modën, dietat, dashurinë dhe plakjen!

    Sipas botueses Dudaj, kjo vjen nga mungesa e letërsisë dhe se leximi i një romani të mirë është ilaç.

    Po, ndoshta mund të jetë kështu, po kujt i duhet letërsia, e cila më ngjan si ato statuset e mia poetikë para 13 vjetësh në Facebook?!

    Njerëzit sot janë në trysni të madhe mes dilemës për të qenë personazh apo person. Të bëjnë jetën e tyre apo jetën e një tjetri? Dhe në vrapin për të kapur çdo gjë, si për shembull telefonin e fundit, nuk kemi kohë të ndihemi në intrigën e bukur të frymëzimit, nga i cili ka ardhur edhe teknologjia.

    P.sh. para disa ditësh isha në prezantimin e makinës që ecën pa shofer dhe 5G-në e Vodafone-it.

    A nuk është e mrekullueshme kur sheh në Shqipëri gjëra që i lexon në libra ose i dëgjon në YouTube nga Amerika?!

    Është e pamundur që sot t’i ikim erës dixhitale, ta refuzojmë atë e të përpiqemi të jetojmë pa valë interneti në fshat. Jeta jonë është online përfundimisht dhe siç thotë Harari, i vetmi problem i jetës pas 30 vjetësh do të jetë depresioni dhe dashuria. Dashuria ka gjasë të na mungojë ose në rastin më të mirë s’do t’ia ndjejmë nevojën, sepse fantazia jonë më qesharake kur ishim fëmijë dhe përfytyronim një botë me robotë tashmë është këtu.

    Secili zgjedh vetë si të ekuilibrojë forcat dhe nëse dikur pihej helm për dashurinë, tani do vdesim me vonesë, dhe për arsye të tjera me gjasë. Mundet të vdesim para dashurisë ose do kërkojmë, si Jane Fonda, një arsye për t’i dhënë kuptim jetës afër të ‘90-ave. Ose do lexojmë romane dhe do qeshim me kohën kur të gjithë njerëzit ishin njerëz. Apo kur politika bëhej me politikanë dhe jo me statusexhinj, kur drama shoqëronte çdo akt: lindjen, martesën dhe vdekjen. Tani ka vetëm një dramë, që bën kontrast tërë ditën. Teknologjia që ecën para dhe shumica e mendjeve që rrinë prapa. Jo të gjithë ishim gati për të qenë njerëzit e internetit.

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post