• Shqip
  • English
  • E enjte, 22 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Kronikë e zezë Të gjitha

    22-vjeçari shqiptar u vra në Itali, “Le Iene” ndërmjetëson faljen e gjakut


    Esencë editori/ Italiani nuk paguan, familja Gjoni nga Fushë Arrëzi nuk e fal. Emisioni investigativ italian “Le Iene” sjell sërish në vëmendje vrasjen e Tetorit 2015 në Milano, kur italiani Francesco Sicignano vrau 22-vjeçarin shqiptar Gjergj Gjoni, i cili sipas ekspertizës italiane i kishte hyrë në banesë për të vjedhur.

    Një pajtues gjaqesh nga ky qytet udhëtoi për në Milano dhe u bind se hetuesit italianë kishin të drejtë, se vrasja ishte kryer për vetëmbrojtje, çka sipas Kanunit nuk i fut në hasmëri dy familjet. Por Mark Gjoni, babai i viktimës nuk pranon t’a besojë dhe këmbëngul se vrasja është kryer për borxhet që italiani i kishte të birit. Përgjigjja që ai i jep pajtuesit shqiptarë të gjaqeve është: “Jo”.

    Marku nuk ka parë as fotot e trupit të të birit të vrarë, mbi të cilat ekspertiza italiane është bazuar për të nxjerrë përfundimin. Megjithatë ai i ofron italianit një zgjidhje sipas Kanunit për të falur gjakun.

    “Meqenëse Françesko nuk pranon me ardhur, me u takuar me mua, e supozojmë se unë do i kërkoj një shumë parash dhe ai thotë “Jo”, automatikisht ai më ka borxh dy gjaqe”.

    Italiani nuk e pranon këtë ujdi.
    “Nuk kam ndërmend të lëviz nga shtëpia. Nuk paguaj asnjë qindarkë. Ky është një shantazh i pastër, në të cilin nuk dua të përzihem aspak, sepse unë jetoj në një vend të lirë”.

    Dhe gjakmarrja do të vazhdojë. “Derisa ai s’pranon është ndarë muhabeti”, thotë Gjoni.

    Këtë herë, “Le Iene” tentoi të ndërmjetësojë faljen e gjakut mes 65-vjeçarit italian dhe familjes Gjoni nga Fushë Arrëzi. /Referuar Klan/