Aktualitet

21 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, ish kreu i SHISH: Berisha e qau me lot krokodili, jam i bindur që ka gisht!

21 vite nga vrasja e Azem Hajdarit, ish kreu i SHISH:  Berisha e qau me lot

Në kohën kur Azem Hajdari ndërroi jetë, sot 21 vite më parë, 12 shtator të vitit 1998, Fatos Klosi ishte kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar. Sot e kësaj dite autorët, qoftë organizatorët e vërtetë nuk janë dënuar dhe nuk janë zbuluar, ndonëse ka pasur akuza edhe ndaj disa figurave politike. Duke folur për gazetën Sot, ish kreu i SHISH foli me emra, duke thënë se një nga të përfshirët në këtë ngjarje është Sali Berisha. Sipa tij, ish kryeministri shqiptar ka gisht.

“Sali Berisha ka gisht, ka rol në vrasjen e Azem Hajdarit. Nuk është se e organizoi Berisha, por është ai që e shfrytëzoi. Ai pasi mori vesh se çfarë po përgatitej, ndihmoi dhe pastaj e shfrytëzoi. Nga kjo pikëpamje, sigurisht që ka pjesën e tija Sali Berisha. Nuk mund të them që e organizoi ai. Kjo është një histori e tërë. Është edhe një histori krimi, por edhe një histori marrëdhëniesh fisnore në Tropojë dhe Berisha ka kontribut”.

Image result for Sali Berisha, Azem Hajdari

Por përse u vra?

Sipas Klosit, Hajdari dhe Berisha nuk kanë pasur marrëdhënie të mira me njëri tjetrin, se Berisha e shihte si kundërshtar nga brenda PD. Klosi thotë se Azem Hajdari nuk iu nënshtrua urdhrave të Berishës dhe kjo mund të ketë çuar këtë të fundit të japë kontribut për eleminimin e tij.

“Ai e qau me lot krokodili pas vdekjes dhe e shfrytëzoi vrasjen e tij sepse ai ishte kundërshtari kryesor i Berishës. Për këtë ngjarje janë dhënë dënime, por shumica e të dënuarve nuk janë më. Vendimet janë dhënë, por ato u bënë më shumë për të treguar që shiko drejtësia në Shqipëri funksionon, dhamë dënime shumë të forta. Procesi mbeti pa i shkuar problemit deri në fund. Berisha që ishte i pari që akuzohej. Vetëm 10 minuta pas ngjarjes ai deklaroi se kush janë autorët, kush janë vrasësit. Pra, ishin disa gjëra që Berisha i dinte para. Është një histori vërtetë e ngatërruar nga ku nuk u vra vetëm Azem Hajdari. Për mua, Berisha ka kontribut. Ai nuk pranoi të deponohej, megjithëse pretendonte të jepte kontributin e tij për zbardhjen e ngjarjes, ai kurrë nuk shkoi. Ai nuk ishte dëshmitar në gjyq, e shmangu, e largoi nga vetja këtë ngjarje. Vetëm e shfrytëzoi atë politikisht”.

Lidhur me çështjen e Izet Haxhisë, Klosi tha:

Mua do të më pëlqente që deklaratat e Izet Haxhisë që ka prova që lëkundin pozitat e Berishës të ishin të vërteta, megjithëse nuk kam besim në diçka të tillë. Do të më pëlqente sepse jam i bindur që Berisha ka gisht në atë histori. Le të dalin edhe të më thonë mua e të tjerëve që e keni gabim, nuk ka gisht, ose ka dhënë ndihmë të dorës së dhjetë. Por kjo ngjarje u pasua nga shumë ngjarje të tjera dhe është e vështirë t’i shkohet deri në fund. Edhe sot nuk ka interes askush më ta ngacmojë./ Tiranapost.al Image result for Fatos Klosi