Aktualitet

21 nëntori, Dita Botërore e Televizionit por dhe e Euronews Albania

21 nëntori, Dita Botërore e Televizionit por dhe e Euronews Albania

Gjithçka që na rrethon, varet nga këndvështrimi. Ky është mesazhi që po përcillet këto ditë nëpër portale dhe rrjete sociale, prej fushatës që po paralajmëron startimin e një logoje të re televizive, të të shumëpriturit Euronews Albania. Ekrani ku do të pasqyrohen, si asnjëherë më parë në Shqipëri, të gjitha zërat e të gjitha pikëpamjet, në të gjitha fushat e jetës, nga politika, tek mjekësia e mjedisi.

Si e shohin shqiptarët presidentin Macron? Si ambicioz apo kapriçoz? Çfarë përfaqëson Rama e Basha për shqiptarët? Shpresën apo dështimin? Vizion apo iluzion përfaqëson fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti? Mjekësia? Korrupsion apo etikë? Si pra qëndron e vërteta e një ngjarjeje, personazhi apo fenomeni? Ndryshe nga sa mund të ndodhë në media të tjera, përgjigjen kësaj pyetjeje nuk ia japin gazetarët, as analistët dhe as drejtuesit, por vet publiku. Dhe misioni i Euronews-it është pikërisht t’i ofrojë audiencës të gjitha këndvështrimet e mundshme, informacion të pasur, që e pasqyron realitetin në 360 gradë, fakte të sakta, por mbi të gjitha, argumente nga të gjitha palët e përfshira.

Kanali më i ri televiziv në Shqipëri do të ndezë sinjalin në një ditë shumë domethënëse. Në datë 21 nëntor, në Ditën Botërore të Televizionit, në ditën kur më shumë se kurrë reflektohet për misionin e madh që duhet të ketë një televizion, për të përcjellë tek njerëzit gjithë mendimet, gjithë këndvështrimet që u përkasin atyre dhe vetëm atyre. Dhe Euronews Albania, do ta përcjellë në shqip këtë mision, për të gjithë shqiptarët, kudo ata janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi. Duke nisur nga data 21 nëntor, në kanalin 21, në orën 07.00./Tiranapost.al