Art dhe Kulturë

2001: A Space Odyssey –aventurë në mendjen e bukur të Kubrick

Nga Darko / Si fillim, dy fjalë: E kam thënë edhe më parë se kjo rubrikëështëideuar si një ekran i vogël kinemaje, në të cilën ngaherë do të gjeni sugjerimin tim për filmin e javës. Kufijtë kohorë të prodhimit të filmit i kam hequr qëllimisht, ndaj titujt që do të lexoni këtu do të vijnë nga era e viteve ’20 ku lulëzoi filmi pa zë, në magjinë e kinemasë italiane të ’60-ës, e deri në kultin e Pulp Fiction (1994) të Tarantino-s. Megjithatë, dua t’ju siguroj vetëm për një gjë: Këtu s’do të gjeni filma komercialë të tipit Fifty Shades of Gray, e as aksion të llojit Transformers, e ku di unë se çfarë tjetër pëlqen shoqëria jonë konsumeriste. Sepse në fakt, kinemaja e vërtetë ngjizet te kamera e Andrey Tarkovsky-t dhe vizioni i Stanley Kubrick.

filmi 2

Gati? Ok! Sot po shfrytëzoj filmin Life,i cili po shfaqet prej disa ditësh në kinematë tona. Rrëfen historinë e një grupi astronautësh, të cilët pasi gjejnë jetë jashtëtokësore në Mars, nisin të eksperimentojnë me të, duke mos e ditur se me çfarë kanë të bëjnë. Ju tingëllon histori e njohur? Po, në fakt, regjisori Daniel Espinosa duket qartë se ndjek të njëjtën linjë narrative të Ridley Scott në filmat Alien (1979) apo Danny Boyle te Sunshine. Ka një fotografi po aq të mirë sa te Gravity i Alfonso Quaron (fitoi Oscar në 2014) dhe po aq i mistershëm sa Solaris i Tarkovsky-t.

Duket se regjisori ka dashur t’u bëjë një homazh të gjithë këtyre filmave që kanë mbetur në historinë e kinemasë, duke ngjizur një film po aq të mirë, dramatik dhe që shikohet me dëshirë për një orë e gjysmë. Është nga ata filma, të cilët shijohet vetëm në kinema sepse sigurisht, efektet speciale janë një nga pikat e forta të tij. Po ashtu,Jake Gyllenhaal e tregon edhe një herë se është i lindur për role dramatike, e po përmirësohet nga filmi në film.

filmi 3

Nëse më lexuat mirë më lart, thashë se po shfrytëzoj Life, sigurisht për të dalë diku tjetër, e nëse jeni ende duke i lexuar këto rreshta, do të thotë se ju pëlqejnë filmat fantastiko-shkencorë. Ky është një lajm i mirë!

Tani vijmë te sugjerimi i filmit të javës, 2001: A Space Odyssey. Sa herë që shoh një film të mirë fantastiko-shkencor nuk mund të mos e krahasoj me këtë kryevepër të Stanley Kubrick, i prodhuar në vitin e largët 1968 (një vit para se njeriu të shkelte në Hënë). Kam përshtypjen se pas ’68-ës, çdo film tjetër që flet për misterin e hapësirës dhe kohës bazohet tek historia e jashtëzakonshme e ideuar nga Kubrick dhe shkrimtari Arthur C. Clarke (i cili më vonë e shkroi edhe në libër).

2001: A Space Odyssey është nga ato filma që më shumë se sa sqaron misterin, të fut në qerthullin e kërkimit të përgjigjes së pyetjes: Kush e krijoi njeriun? A jemi ne pasardhës të një rrace të veçantë majmunësh? Po majmunët kush i krijoi? Një forcë e mbinatyrshme apo një Monolit i zi, i sjellë në Tokë nga një qenie jashtëtokësore? Sigurisht, filmi nuk u jep përgjigje eksplicite secilës prej pyetjeve, por ama të hedh në erë çdo perceptim tjetër që ti ke për zanafillën e jetës, e ngadalë nis të përthithësh vizionin e Kubrick-ut se çfarë ka ndodhur e do të ndodhë me njeriun. Christopher Nolan te Interstellar (2014) e ka trajtuar me sukses të njëjtën temë.

Fotografia frymëmarrëse e gjeniut Kubrick, por edhe disa truke që ai përdor për ta futur shikuesin në një udhëtim në të ardhmen (teksa ti pyet veten: si dreqin e ka xhiruar këtë në vitin 1968!?), janë sot kult në kinemanë e fantashkencës. Dhjetë minutat e para të filmit janë ndoshta copa më e mirë e kinematografisë fantashkencore, që mbyllet me imazhin e kockës në dorën e majmunit që shndërrohet në anije kozmike: evolucioni i njeriut është mbrësëlënës, apo jo? E po kaq i jashtëzakonshëm është HAL 9000, personazhi-kompjuter më i tmerrshëm, i frikshëm e mizor qëështë krijuar ndonjëherë.

filmi 4

Po kaq e paharrueshme është edhe skena e fundit, kur personazhi kryesor, Dr. David Bowman, pasi ka udhëtuar në kohë, e gjen veten përballë vetvetes tashmë të plakur, e mandej një bebe në embrion që udhëton në hapësirë. U konfuzuat? Mirë, ky ishte qëllimi!

Unë gjithmonë them: Filmat shijohen, nuk tregohen. Aq më tepër një film i Kubrick-ut. Shikim të këndshëm!

Kuriozitet: Pas realizimit të 2001: A Space Odyssey (1968), konspiracionistët e kanë akuzuar Kubrick-un se në fakt zbritja e amerikanëve në Hënë nuk ka qenë e vërtetë, por është e inskenuar prej tij dhe se xhirimet e 1969-ës janë fryt i mendjes së regjisorit.