• Shqip
  • English
  • E martë, 23 Prill 2019
  • Shqip
  • English
  • Politikë Te gjitha

    2000 vende të lira për praktika, zv.ministri i Arsimit: 200 më të mirët do të fitojnë kontratën e punës


    Të gjithë të rinjtë që kanë përfunduar minimalisht nivelin e studimeve “bachelor” dhe që janë në kërkim të një ekperience pune, mund të aplikojnë tashmë online në praktika.arsimi.gov.al, për një nga 2000 vendet e lira të praktikave në administratën publike dhe bizneset private.

    Programi Kombëtar për Praktikat e Punës, do t’u japë mundësinë të rinjve nga mosha 21 në 26 vjeç që për tre muaj, të kryejnë praktikat shtetërore në institucionet që ata do t’i zgjedhin vetë në aplikimin e tyre, por jo vetëm kaq.

    Zëvendës Ministri i Arsimit, Shpati Kolgega, njoftoi në studion e ERTV se pas përfundimit të praktikave 3 mujore, 200 praktikantët më të mirë do të fitojnë një kontratë pune një vjeçare.

    Duke e cilësuar këtë një program meritokratik, Kolgega sqaroi se janë të ftuar që të aplikojnë të gjithë studentët, pavarësisht mesatares.

    “Kjo është thirrja e katërt e këtij programi, që ju jep mundësi për eksperiencë pune, për një periudhë tre mujore. Përmes aplikimit të rinjtë e zgjedhin vetë vendin e punës ku duan praktikë dhe pas përfundimit të praktikës përzgjidhen 200 më të mirët nga këta aplikantë, që më pas punësohen në administratë me një kontratë 1 vjeçare. Ky është një mekanizëm shumë i mirë jo vetëm për punësimin e të rinjve por edhe për të përmirësuar administratën publike, që ka nevojë gjithmonë për të rinj energjikë”, tha Kolgega.

    Zëvendës Ministri theksoi se ky program i konsoliduar që tashmë ka hyrë në vitin e tij të katërt, ka një traditë të sukseshme nga e kaluara, pasi të rinj që e nisën si praktikantë, tani kanë arritur të drejtojnë edhe sektorë të ndryshëm në administratën publike.

    Ndryshe nga një vit më parë, shtoi Kolgega, kur kishim 600 vende të lira praktikash, sot janë plot 2000 vende të lira. /Referuar lexo.al/